Ballina Bota Izraeli bën gati planin për “largimin vullnetar” të palestinezëve, reagon Kina: Gaza...

Izraeli bën gati planin për “largimin vullnetar” të palestinezëve, reagon Kina: Gaza nuk funksionon me ligjin e xhunglës

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se vendet që kundërshtuan operacionet ushtarake në Gaza duhet të pranojnë palestinezët që largohen vullnetarisht.Reuters ka dhënë më shumë detaje mbi komentet e fundit të ministrit të mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz.

Unë e mirëpres planin e guximshëm të presidentit Trump, banorët e Gazës duhet të lejohen të largohen dhe të emigrojnë, ashtu siç është norma në mbarë botën,” citoi Katz-i për Kanalin 12 të Izraelit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit urdhëroi ushtrinë të enjten që të përgatisë një plan për të lejuar “largimin vullnetar” të banorëve nga Gaza, raportuan mediat izraelite.

Kur u pyet se kush do t’i pranonte palestinezët, Katz tha se duhet të jenë vendet që kanë kundërshtuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza.

Vende si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe të tjera, të cilat kanë bërë akuza dhe pretendime të rreme kundër Izraelit për veprimet e tij në Gaza, janë të detyruara ligjërisht të lejojnë çdo banor të Gazës të hyjë në territoret e tyre,” tha ai.

Ai shtoi: “Hipokrizia e tyre do të zbulohet nëse refuzojnë ta bëjnë këtë. Ka vende si Kanadaja, e cila ka një program të strukturuar të imigracionit, që më parë ka shprehur gatishmërinë për të pranuar banorët e Gazës.”

Ideja e diskutueshme e Donald Trump-it, e cila ka shkaktuar zemërim në të gjithë Lindjen e Mesme, vjen ndërsa Izraeli dhe grupi militant Hamas pritet të fillojnë bisedimet për raundin e dytë të një plani të brishtë armëpushimi për t’i dhënë fund gati 16 muajve luftime në Gaza.

Plani i Katz-it do të përfshijë opsione daljeje përmes kalimeve tokësore, si dhe marrëveshje të veçanta për largimin përmes detit dhe ajrit, raportoi Kanali 12.

Lidhur me deklaratën e Donald Trump për zhvendosjen e popullsisë së Gazës, ka reaguar edhe Kina.

Ministria e Jashtme e Kinës tha të enjten se Pekini kundërshton zhvendosjen e detyruar të njerëzve në Gaza, raporton Reuters.

“Gaza është Gaza e palestinezëve, jo një kartë politike për pazare, e aq më pak një shënjestër e ligjit të xhunglës,” tha zëdhënësi i ministrisë, Guo Jiakun, në një konferencë të rregullt për shtyp.

Kina mbështet fuqishëm të drejtat kombëtare legjitime të popullit palestinez, shtoi ai.