Ballina Shqiperia ime Internet “pa limit” – AKEP: Shqiptarët konsumuan më shumë GB, por më...

Internet “pa limit” – AKEP: Shqiptarët konsumuan më shumë GB, por më pak minuta dhe SMS

Gjatë vitit 2024, shqiptarët kanë konsumuar më shumë internet, por më pak minuta dhe mesazhe SMS. Interneti po përdoret gjithnjë e më tepër për të komunikuar, por edhe për edukim, argëtim, apo biznes.

Të dhënat e sapopublikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se në Shqipëri qarkullonin rreth 3.3 milionë karta aktive SIM në fund të 2024, rreth 1.4 karta SIM për banor, shifër kjo mё e lartё se mesatarja e Evropës dhe ajo botërore. Megjithatë, numri i kartave SIM rezulton të ketë rënë me 12% në krahasim me 2023.

Ndërkohë, duket se përdorimi më i madh i internetit për dërgimin e mesazheve përmes aplikacioneve si WhatsApp, po zëvendëson formën tradicionale të dërgimit të mesazheve SMS. Numri i SMS-ve të dërguara gjatë vitit 2024 ishte rreth 384 milionë, një rënie me gati 6.8% në krahasim me vitin 2023.

Nga ana tjetër, edhe numri total i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare arriti në 2.5 milionë në 2024, nga 2.6 milionë që ishin në 2023.

Për sa i përket totalit të thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri, në 2024 ishin rreth 3 miliardë e 970 milionë minuta, rreth 7.6% më pak se në 2024, ku totali i thirrjeve ishte 4.3 miliardë minuta.

Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile arriti në rreth 223 milionë GigaByte në vitin që lamë pas. Statistikat zyrtare tregojnë se konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë periudhës tetor-dhjetor ishte 145 minuta dalëse, 13 SMS dhe 8.94 GB Internet.

Duke filluar nga janari i 2023, në treg janë vetëm dy operatorë celularë. Në muajin shkurt të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës hapi edhe një hetim paraprak ndaj Vodafone dhe One Albania, pas ankesave të paraqitura mbi rritjen e çmimit të paketave me pagesë. Ky hetim ka nisur me argumentin se sjellja e ndërmarrjeve mund të përbëjë kufizim të konkurrencës, pra ekziston mundësia që dy kompanitë të kenë lidhur një marrëveshje për fiksimin e çmimit, kufizimin e prodhimit, apo ndarjen e tregjeve dhe klientëve.

Në varësi të rezultatit të hetimeve, Autoriteti i Konkurrencës do të vendosë mbi sanksionimin me gjobë, apo jo të këtyre dy kompanive.