Shqipëria ka bërë hapa para në fusha të ndryshme gjatë dekadave të fundit, por niveli i lumturisë në moshën e mesme (45-59 vjeç) ka bërë hapa pas. Sipas indeksit Global të Lumturisë për vitin 2024, të anketuarit në Shqipëri që i takojnë moshës së mesme raportuan nivele më të ulëta lumturie për periudhën 2021-2023 në krahasim me 2006-2010 (shiko grafikun e mposhtëm).
Të dhënat globale treguan se niveli i lumturisë tek shqiptarët në kulmin e moshës shënoi rënie me së paku -0.3 pikë ndërmjet 2006 dhe 2023. Niveli i lumturisë së shqiptarëve shkoi përkundër zhvillimeve në Europën Qendrore dhe Lindore. P.sh. Serbia kryesoi listën për rritjen e nivelit të lumturisë në popullsinë në moshë te mesme.
Popullsia serbe në grupmoshën 45-59 vjeç raportoi nivele të larta të rritjes së lumturisë ndërmjet 2026 – 2025 me gati 1.8 pikë, e ndjekur nga Bullgaria. Përveç Shqipërisë vendet e Rajonit, Rumania, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut raportuan në vitin 2023 nivele shumë më të larta lumturie se në vitin 2006. Në të gjithë rajonin, vetëm Shqipëria ka shfaqur prirje të kundërt.
Mosha e mesme, ata mbi 45 vjeç, janë brezi që kanë lindur në diktaturë dhe shumica prej tyre janë angazhuar për rrëzimin e saj. Ata kishin ëndrra të mëdha për vendin dhe prosperitetin, të cilat duket se janë thyer tani pas 34 vitesh zhvillime demokratike. Nga 2006-2010 deri në 2021-2023, niveli i lumturisë së përgjithshme ndryshonte shumë nga vendi në vend, duke filluar nga rritja deri në 1.8 pikë në Serbi, rritje me 69 vende renditje dhe 1.6 pikë në Bullgari. Rënien më të madhe deri në 2.6 pikë e kishte Afganistani ndërmjet 2013 dhe 2024.
Europa Qendrore dhe Lindore pati rritjen më të madhe në nivelin e lumturisë në të gjithë globin në dekadën e fundit. Azia Lindore gjithashtu pati rritje të mëdha, veçanërisht për popullsinë e moshuar. Në periudhën 2021-2023 emocionet negative ishin në çdo rajon më të pranishme për femrat sesa për meshkujt.
Emocionet negative janë më të shpeshta se në vitet 2006-2010 kudo, përveç Azisë Lindore dhe Europës Qendrore dhe Lindore, ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Emocionet pozitive nuk kanë ndryshuar shumë, ndërkohë që mbeten më të shpeshta tek të rinjtë sesa tek grup-moshat më të vjetra.
Pabarazia globale e lumturisë është rritur me më shumë se 20% gjatë dhjetë viteve të fundit, në të gjitha rajonet dhe grupmoshat, në një masë që ndryshon shumë sipas moshës dhe rajonit./ Monitor