Ballina Shqiperia ime Importoi mbi 18 ton fileto pule me salmonelë,në kërkim administratori i kompanisë,...

Importoi mbi 18 ton fileto pule me salmonelë,në kërkim administratori i kompanisë, procedohen 3 inspektorët e AKU-së

Një skandal i rëndë ushqimor ka dalë në dritë në Tiranë, ku një kompani private ka importuar produkte ushqimore që përmbanin bakterin e salmonelës. Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë, ndërsa ka proceduar penalisht vëllanë e tij dhe tre inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Sipas njoftimit të DVP Tiranë, 50-vjeçari A.G., administrator i kompanisë, dhe vëllai i tij, M.G., 53 vjeç, kanë futur në vend sasi produktesh ushqimore të kontaminuara, të cilat më pas u lejuan për tregtim nga inspektorët e AKU-së.

Në këtë skemë janë përfshirë edhe tre inspektorë të AKU-së, G.H., 38 vjeç, S.L., 42 vjeçe, dhe A.S., 46 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos parandaluar daljen e këtyre produkteve në treg.

Çështja është tashmë në duart e Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për këtë rast serioz që përbën një kërcënim për shëndetin e qytetarëve.