Ballina Shqiperia ime I kërkuan 4 milionë lekë qytetarit për t’i legalizuar objektin, IMT pezullon...

I kërkuan 4 milionë lekë qytetarit për t’i legalizuar objektin, IMT pezullon nga puna dy inspektorët 

Mbrëmjen e së mërkurës eshte denoncuar një skandal në Tiranë, ku dy inspektorë të IMT-së, i kërkojnë një ryshfet prej 4 milionë lekësh të vjetra një qytetari.Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Ilir Haxhillari, i cili ka një dyqan te rruga “Siri Kodra” në Tiranë. Ai pohon se tregton lodra për fëmijë, teksa pronësinë e dyqanit dhe të bodrumit e ka me certifikatë pronësie.

Ai tregoi se dy inspektorë i kërkuan atij ryshfet në këmbim që t’i legalizonin objektin.Pas këtij denoncimi në “Fiks Fare”, ka reaguar dhe IMT, duke thënë se dy inspektorët janë pezulluar nga puna.

Në komunikimin e IMT-së shkruhet:

Sqarim mbi çështjen e trajtuar në emisionin investigiv “Fiks Fare”

Ju njoftojmë se për subjektin Ilir Haxhillari, ekziston Vendimi për prishje objekti me nr.2243, date 24.02.2023. Në Përputhje me ligjin nr.9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin dhe Mbrojtjen e Territorit nga Ndërtimet e Kundëraligjshme” (I ndryshuar), Ligjit 107/2014, datë 21.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit (I ndryshuar)”, VKM nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit (I ndryshuar), VKM 894, datë 04.11.2015, “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati  Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit”, nga ana e institucionit tonë janë marrë masat për njoftim të subjektit datë 20.02.2025, dhe pas verifikimeve në terren është konstatuar se ky subjekt është pajisur me masë sigurim padie datë 21.02.2025, nga Gjykata Administrive e Shkallës së Parë Tiranë, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 2243, date 24.02.2023.

Duke vlerësuar me seriozitet situatën dhe në përputhje me Kodin e Punës dhe rregulloren nr.6667/3, datë 01.03.2022, te Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit,  ju bëjmë me dije se për dy inspektorët e përfshirë në rastin e mësipërm janë marrë masa për pezullim  nga detyra deri në verifikim të rastit në fjalë nga organet kompetente.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit thekson se nuk toleron asnjë formë abuzimi me detyrën dhe shkelje të etikës dhe integritetit profesional. Transparenca, përgjegjshmëria dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të veprimtarisë së institucionit tonë.