Ballina Shqiperia ime I dënuar më parë për vrasje, kapet nga RENEA 46-vjeçari me rrezikshmëri...

I dënuar më parë për vrasje, kapet nga RENEA 46-vjeçari me rrezikshmëri të lartë

Një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedent për vrasje dhe në kërkim për gjobëvënie ndaj bizneseve, është kapur nga Forca Speciale “RENEA”

“Si rezultat i ndërhyrjes së specializuar policore të shërbimeve të Forcës Speciale “RENEA”, në mbështetje të shërbimeve operacionale të Policisë së Lezhës dhe të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, u mundësua lokalizimi në Mamurras, neutralizimi dhe vënia në pranga e shtetasit të shpallur në kërkim, 46 vjeç. Nga hetimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Lezhë dhe Prokuroria e Lezhës, dyshohet se ky shtetas dhe 4 të tjerë (konkretisht 1 shtetas i arrestuar dhe 3 shtetas të proceduar penalisht, më datë 19.02.2025), të organizuar si grup, iu vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kanosur me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë veprimeve hetimore në lidhje me këtë veprimtari kriminale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 automjete të blinduara, të cilat përdoreshin për të kryer veprimtarinë kriminale të shtrëngimit me anë të kanosjes, për dhënie pasurie.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.