Nga 1 korriku ka hyrë në fuqi rritja e pagës për mjekët e sistemit shëndetësor parësor dhe arsimtarët e sistemit parauniversitar. Shtesa e pagës për të dyja kategoritë varion nga 12 mijë lekë deri në 14 mijë lekë në varësi të vjetërsisë së punës.
Konkretisht pas rritjes e reflektuar me pagat e muajit qershor, rroga neto e një mjeku të familjes pranë Qendrave Shëndetësore në Tiranë nga 88,000 lekë që ishte me rritjen prej 12,000 lekë arriti në 100,000 lekë.
Ndërsa paga neto për një mësues të shkollës së mesme në Tiranë nga 63 mijë lekë në muaj pas shtesës arriti në 76,8 mijë lekë në muaj. Rritja e pagës është në vlerën e 13,8 mijë lekë.
Qeveria kishte parashikuar që deri në fund të 2024, paga mesatare në administratë do shkojë 900 euro, teksa për mjekët, infermierët dhe mësuesit rritja do të shkojë deri 28,000 lekë në muaj.
Në vendimin “Për miratimin e dokumentit të politikave prioritare 2025–2027” i botuar më herët në Fletoren Zyrtare përcaktohej se deri në fund të vitit paga bruto e mësuesve do të arrijë 104 mijë lekë.
Në vijim të rritjes së pagave të miratuara gjatë vitit 2023, në vitin 2024, parashikohej një rritje e konsiderueshme e pagës së punonjësve në sektorët e arsimit. Për punonjësit e arsimit parauniversitarë do të kenë një rritje page në masën 31.3%, rritje e cila do të përcjellë një rritje kumulative për këta mësues në masën 38% ose në vlerë është në masën 28.900 lekë/muaj, duke e çuar pagën mujore nga 75.900 lekë/muaj në 104.800 lekë/muaj.
Në vitin 2024, në fokus të reformës do të jenë pagat për mjekët e familjes dhe infermierët.
Në vitin 2023, mjeku i përgjithshëm mori një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 6.000 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 20.000 lekë/muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm është 25% dhe shkon deri në 131.000 lekë/muaj.
Infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë për vitin 2023 morën një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 3.600 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 15.000 lekë/muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të infermierit është 27% dhe shkon deri në 87.000 lekë/muaj.
Nga 1 korriku pensionet do të indeksohen 13,5%
Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin për indeksimin e pensioneve në masën 13,5%. Në vendimin “Për përcaktimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, për llogaritjen e pensioneve” thuhet se indeksimi aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2022, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohet me datë fillimi nga data 1 korrik 2024 e në vazhdim.
PSipas vendimit, pas aplikimit të indeksit të vitit 2022, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1 korrik 2024, nuk mund të jetë më e lartë se: a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001; b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.