Sezoni veror është shoqëruar edhe me një rritje të ndjeshme të importit të mallrave të akcizës. Vetëm në Gusht, janë importuar 74.3 mijë ton karburante, duke shënuar rekordin e të gjithë muajve të këtj vitit. Ndërsa në 8-mujor po ashtu, importi i karburanteve ka pësuar një rritje të konsiderueshme duke arritur nivelin rekord të 5 viteve të fundit, ku janë blerë nga jashtë 441 mijë ton karburante.
Kjo perfomancë vjen si rrjedhorë e rritje së fluksit të turistëve në vendin tonë, kryesisht në dy vitet e fundit, ku një pjesë e mirë prej tyre vijnë me automjete personale dhe një pjesë marrin automjete me qira për të vizituar sa më shumë vende. Nga ana tjetër vihet re dhe një tendencë në rritje e qytetarëve shqiptarë që lëvizin gjatë sezonit të verës apo fundjavave, për të shfrytëzuar motin e mirë që ofron Shqipëria.
Nga ana tjetër, importi i birrës në 8 mujor ka arritur rekordin e 5 viteve të fundit, ku janë importuar afro 42 mijë ton. Rritja e importit të këtij produkti vjen edhe për shkak të sezonit të mbarë turistik, por edhe për faktin se unifikimi i akcizës për prodhimin vendas, ka sjellë disavantazh për fabrikat që operojnë në Shqipëri dhe ka krijuar më shumë terren për importuesit. Në muajin Gusht janë importuar 9975 ton birrë, sasia më e lartë që nga viti 2020.