Ballina Bota Greqia rrit pagat! Në fuqi nga 1 prilli, rritja e pestë në...

Greqia rrit pagat! Në fuqi nga 1 prilli, rritja e pestë në 6 vjet

Në një mbledhje të kabinetit të tij kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar rritjen me 50 euro të pagës minimale në vend duke filluar prej 1 prillit.

Siç ka theksuar kjo është rritja e pestë rresht e pagës minimale që nga viti 2019, e cila synon të rrisë të ardhurat e disponueshme të rrogave të punonjësve dhe fuqinë blerëse të tyre.

Pagesa bazë – dua t’ju kujtoj, e kemi gjetur 650 euro në 2019, sot është 830 euro – nga 1 prilli do të shkojë në 880 euro. Bëhet fjalë për një mbështetje shtesë prej 50 euro në muaj dhe rritja kumulative – vlen të theksohet kjo – në krahasim me vitin 2019 arrin në 2735 euro në vit“, u shpreh Mitsotakis.

Sipas vendimit të qeverisë kjo masë prek 575 mijë punëtorë në sektorin privat, por përfshin edhe 600 mijë punonjës në administratën shtetërore. Gjithashtu, ndryshon pozitivisht në rritjen e 19 bonuseve që kanë të bëjnë me vjetërsinë, postet, gjendjen familjare etj. Mitsotakis që ka përmendur edhe uljen e papunësisë në 8.7%, ka theksuar gjithashtu se ky vendim e çon Greqinë në vendin e 11-të mes 22 vendeve europiane që kanë një regjim pagash minimale, ndërsa ka ripërsëritur angazhimin parazgjedhor, që në vitin 2027 paga minimale të shkojë në 950 euro dhe ajo mesatare në 1500 euro.

Nga ana e tyre partitë e opozitës kanë kritikuar qeverinë duke pyetur kryeministrin se si rritja prej 6% e pagës minimale mund të përballojë rritjet prej 16.4% në nivelin e përgjithshëm të çmimeve, 33% në ushqim dhe 17% në banesa që përjetojnë qytetarët prej vitit 2020.