Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, Policia Kufitare Greke ka njoftuar Policinë Kufitare të Korçës se duke nisur nga ora 17:00 e ditës së sotme, lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) përmes Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë drejt Greqisë është pezulluar deri në një njoftim të dytë.
Aktualisht, lejohet vetëm kalimi i autoveturave dhe autobusëve, me kusht që ato të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë, për të garantuar sigurinë në rrugë.
Policia e Shtetit i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë përmes kësaj pike kufitare, të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të ri, i cili pritet të bëhet ditën e nesërme nga autoritetet greke.