SHBA
Gjykata Supreme në SHBA i ka dhënë dritën jeshile një ligji që ndalon TikTok në SHBA, nëse kompania amë me bazë në Kinë, ByteDance, nuk e shet platformën deri të dielën, më 19 janar.
ByteDance e ka sfiduar ligjin dhe ka argumentuar se ai shkel mbrojtjen e lirisë së fjalës për më shumë se 170 milionë përdoruesit e aplikacionit në SHBA. Por, ky argument u refuzua nga gjykata më e lartë e vendit dhe do të thotë se TikTok tani duhet të gjejë një blerës të miratuar për versionin amerikan të aplikacionit ose do të përballet me një ndalim total nga dita e diel.
Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë kanë akuzuar ByteDance për lidhje me qeverinë kineze dhe kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare lidhur me TikTok.
“Nuk ka dyshim se, për më shumë se 170 milionë amerikanë, TikTok ofron një mundësi të veçantë dhe të gjerë për shprehje, mënyra angazhimi dhe burim të komunitetit.
Por Kongresi ka përcaktuar se është e nevojshme një shitje për të adresuar shqetësimet e tij të mbështetura mirë për sigurinë kombëtare lidhur me praktikat e grumbullimit të të dhënave nga TikTok dhe marrëdhënien e tij me një kundërshtar të huaj.
Për arsyet e mësipërme, ne arrijmë në përfundimin se dispozitat e kundërshtuara nuk shkelin të drejtat e kërkuesve sipas Amendamentit të Parë”, thuhet në vendimin e gjykatës.