Gjykata Kushtetuese ka votuar në favor të marrëveshjes së Shqipëri-Itali për emigrantët, e cila është firmosur nga kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
“Gjykata Kushtetuese, ditën e sotme u mblodh në një seancë të tretë, për të dalë në përfundimin se marrëveshja nuk është në shkelje të kushtetutës. Ky është lajmi nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe në orën 15:30 do të kemi një komunikim dhe të tjera detaje”, raportoi gazetarja e ABC News, Erneta Shevroja.
Më 13 Dhjetor të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullojë marrëveshjen vetëm pak orë përpara se Kuvendi të votonte për miratim.
Partia Demokratike, si ajo zyrtare e Lulzim Bashës dhe e dy grupimeve të tjera, Sali Berishës e Gazment Bardhit, e çuan marrëveshjen në këtë gjykatë, më datë 6 dhjetor.
Pak ditë më parë, parlamenti italian miratoi me 155 vota pro, 115 kundër dhe 2 abstenime projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.
Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.
Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.