Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK, për të vënë në “sekuestro preventive” pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.Goro ndodhet në “arrest në burg” për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për regjistrimin e dy sipërfaqeve prone, ku sipas prokurorisë, ish-kryebashkiaku me veprimet dhe mos veprimet e tij, ka lejuar në kundërshtim me ligjin për regjistrimin e këtyre pronave që ishin parashikuar për investime strategjike.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 31.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 29, datë 26.07.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive”, dhe vendosi:
– Ndryshimin e Vendimit nr. 428, datë 15.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
– Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
– Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, në bazë dhe për zbatim të nenit 274 të Kodit të Procedurës Penale, për pasurinë numër ***, volumi ***, faqe ***, Zona Kadastrale nr. ***, lloji i pasurisë “Apartament”, sipërfaqja e përgjithshme 81.41 m2, adresa e pasurisë ***, për llogari të Procedimit Penal nr. 189, të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/II i Kodit Penal, me person nën hetim Z. J.G.
– Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.
– Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.