Seanca e Sali Berishës ka zgjatur 1 orë e 20 minuta në Gjykatën e Apelit të Posacëm, ku Prokuroria e Posacme kishte ankimuar vendimin e gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi, që revokoi masën e arrestit të shtëpisë duke e lënë të lirë.
SPAK duket se nuk ka qenë dakord me këtë vendim, duke e dërguar në Apel.Nga GJKKO është vendosur që Berisha të paraqitet dy herë në muaj si një masë kufizuese.
Argumentet e SPAK kanë qenë se çështja ende nuk ka kaluar në gjykim pavarësisht se janë mbyllur hetimet pasi do të jetë gjyqtarja e Gjykatës së Posacme ajo që do të rishikojë dhe njëherë në qoftë se çështja është e plotë do të kalojë apo jo në gjykim, apo çështja mund ti kthehet sërish SPAK-ut për hetim apo mund të pushohet.
VENDIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 674, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:
– Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit S.B. për shuarjen e masës së sigurimitme karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
– Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit S.B. me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
– Urdhërohet i pandehuri S.B. të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore AdelajdaMetaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.
2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.