Ballina Bota Gati ndërtimi i urës mbi lumin Bunë- Mali i Zi miraton marrëveshjen...

Gati ndërtimi i urës mbi lumin Bunë- Mali i Zi miraton marrëveshjen me Shqipërinë

Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar së fundmi marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e urës së re mbi lumin Bunë. Marrëveshja për ndërtimin e urës u  nënshkrua në Podgoricë më 27 shkurt 2023 nga kryeministrat e dy vendeve, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama. Marrëveshja mes dy vendeve është ratifikuar më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe më pas botuar në Fletoren Zyrtare në qershor të vitit 2023.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është ndërtimi i Urës që përmirëson lidhjet ndërkufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke krijuar kushte për shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore, si dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe social në rajon. Hartimi i projektit është përgatitur me burimet financiare të palës shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

Ura do të jetë e gjatë 380 metra me 3 harqe dhe do të përdoret nga makinat, kalimtarët dhe biçikletat. Kjo urë do të shkurtojë rrugën nga plazhi i madh i Ulqinit deri në Velipojë.

Projekti pritet të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe sipas marrëveshjes do të bashkëfinancohet në masën 50% nga secili vend, duke përfshirë kostot totale të ndërtimit, mbikëqyrjes së punimeve dhe shërbime të tjera që lidhen me realizimin e projektit