Sëmundja e fruthit është përhapur në shumë vende të Evropës, madje edhe në fqinjët tanë, por edhe në Shqipëri gjatë muajit mars ka pasur një shpërthim të fruthit, ndaj rreziku është i lartë për fëmijët që nuk janë vaksinuar.Artan Simaku, epidemiolog i ISHP, thotë: “Për shkak të udhëtimeve, rreziku është i lartë pasi në Bosnjë, në Rumani dhe në Serbi ka mbi 10 mijë raste të infektuar”.
Ka shumë prindër që refuzojnë të bëjnë vaksinën MMR, e cila bëhet kur fëmija mbush 1 vjeç, pasi e lidhin me autizmin. Por ndërkohë ata janë rrezik edhe për fëmijët e tjerë. Në muajin mars ka pasur një shpërthim të fruthit në një kopësht në Fier, ndërkohë që raste me fruth ka pasur në Tiranë, Lezhë dhe Vau i Dejës.
Kanë qenë 14 fëmijë, 8 prej tyre në Fier, të grupmoshës 2-4 vjeç, të cilët ishin vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës, pra pa plotësuar skemën e plotë të vaksinimit”, shton Simaku.
Pas këtyre rasteve, epidemiologët kanë nisur verifikimin e fëmijëve të pavaksinuar nëpër çerdhe, kopshte dhe shkolla, të cilat nuk duhet të pranojnë fëmijë të pavaksinuar sipas kalendarit të detyrueshëm, por shumë institucione arsimore e shkelin dhe nuk e respektojnë këtë pikë të ligjit të sëmundjeve infektive.
Nga ana tjetër, Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror duhet të ushtrojë kontroll dhe të ndëshkojë çerdhet, kopshte dhe shkolla që pranojnë fëmijë të pavaksinuar, duke rrezikuar të tjerët.”