Frika e një arratisje të mundshme, ka çuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të mos marë përsipër dhe garantojë transportimin e Dritan Dajtit nga burgu i Peqinit në Gjykatën e Elbasanit.
I dënuari nga Gjykata e Lartë me burgim të përjetshëm, pak ditë më parë ju drejtua gjykatës së Elbasanit me një kërkesë duke pretenduar se ka përfunduar dënimin me 25 vite burgim, dhe për këtë Gjykata duhet të nxjerë urdhërin e ekzekutimit për lirimin e tij nga qelia.
Dajti, ka kërkuar që të jetë prezent në sallën e gjyqit, por sipas një shkrese të dërguar Gjykatës së Elbasanit, Drejtoria e Burgjeve, ka refuzuar të sjellë fizikisht Dajtin në Gjykatë, duke argumentuar mungesën e transportimit të tij për arsye sigurie.
Burgjet kanë marrë informacion në rrugë operative dhe i frikësohen një skenari arratisje nga Dritan Dajti, ndaj dhe nuk kanë marrë përsipër ta sjellin në gjykatë.
Nga ana tjetër avokatët kanë kërkuar që seancë gjyqësore të zhvillohet me video-konferencë, por dhe një gjë e tillë nuk është mundësuar për shkaqe teknike.
Për sa kohë që IT-ja nuk e mundësoi kërkesën e të pandehurit, seanca e radhës u shty për ditën e Hënë në orën 13:30.
Dritan Dajti, i dënuari nga Gjykata e Lartë me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes së 4 punonjësve të strukturës operacionale në Policinë e Shtetit, i është drejtuar me dy kërkesa, gjykatës së Elbasanit dhe Drejtorisë së Burgut Peqin, duke kërkuar lirimin nga qelia pasi ai ka përfunduar dënimin me 25 vite burgim.
Dajti, pretendon se vendimi i Gjykatës së Lartë, që mban datën 11 Qershor 2024, nuk është i formës së prerë dhe për pasojë nuk mund të shtrijë efektin për mbajtjen në qeli me masën e dënimit burgim të përjetshëm.
Në fakt ky është një nga ekuacionet më të çuditshëm juridik, që po e teston vetëm i dënuari Dritan Dajti, pasi dihet botërisht që vendimet e Gjykatës së Lartë janë vendimi të ekzekutueshme dhe që kanë vlerën e formës së prerë.
Sipas Dritan Dajtit vendimi i datës 8 shkurt 2019, ka marrë formë të prerë sot në datën 4 korrik 2024, ditë kur sipas llogaritjeve dhe vlerësimit të deklaruar nga vetë gjykata në këtë vendim, Dritan Dajti përfundon kryerjen e dënimit me 25 vjet burgim.
Por nga ana tjetër Gjykata e Lartë, në 11 qershor vendosi të prishë vendimin e Apelit për Krime të Rënda të datës 8 shkurt 2019, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.