Ballina Shqiperia ime Forcohen rregullat për cilësinë e vajit të ullirit

Forcohen rregullat për cilësinë e vajit të ullirit

Një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë synon të forcojë rregullat sa i takon cilësisë së vajit të ullirit në vend. Referuar udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare, “për kategorizimin e prodhimit,  emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsisë së ullirit”, përcaktohen metodat e analizimit të karakteristikave të cilësisë dhe kritereve të natyrshmërisë së vajit të ullirit, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.  Sipas dokumentit për të analizuar vajin e ullirit do të ndiqen procese rigoroze me afate të caktuara.

Kështu, përcaktohet se mostra vendoset sa më shpejt në një vend të errët, larg nxehtësisë dhe dërgohet në laborator për analizim, brenda 5 ditë pune nga momenti i marrjes, në të kundërt duhet të ruhet në kushte të tilla që të mos degradojë ose dëmtohet gjatë transportit ose ruajtjes, përpara se të dërgohet në laborator. Në  rastet kur rezultatet e analizave kontestohen nga operatori, ndërmerret procesi i rianalizimit sipas legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar, për element si aciditeti i lirë, vlera së peroksideve, koeficienti i përthithjes UV, etil esteret e acideve yndyrore, dyllrat dhe karakteristikat organoleptike, i cili kryhet përpara datës së skadencës në rastin e vajit të ullirit të  ambalazhuar.

Në rastin kur mostra e vajit të ullirit është marrë në depozita, rianalizimi kryhet brenda 6 muajve nga marrja e mostrës. Në rastin e vajit të ullirit të ambalazhuar, me përjashtim të rasteve kur mostra është marrë më pak  se 2 muaj para datës së skadencës, nëse rezultatet e  analizave nuk përputhen me karakteristikat e  kategorisë së deklaruar, operatori nga i cili është marrë mostra duhet të njoftohet jo më vonë se 1 muaj përpara datës së skadencës së vajit.

Sipas udhëzimit, do të ketë një komision degustimi, i cili do të vlerësojë karakteristikat organoshqisore të vajit të ullirit të virgjër. Karakteristikat organoshqisore konsiderohen në përputhje me kategorinë e deklaruar nëse konfirmohen nga të dy rianalizimet. Në rastin e kundërt, operatori mbulon kostot e rianalizimeve. Për vajin e importuar, rianalizimi kryhet nga  dy komisione degustimi/panel teste të tjera nga ai që ka kryer vlerësimin fillestar.

SCAN