Thatësira e vitit që kaloi ndikoi ndjeshëm në nivelet e prodhimit të një numri kulturash, përfshirë patatet. Sipas të dhënave të Eurostat, prodhimi në rënie është pasur me rritjen e çmimeve për pataten në 24 nga vendet e BE-së. Kështu, çmimet u rritën më shpejt në Gjermani (49%), Sllovaki (48%) dhe Kroaci (44%).
Por duket se kësaj vale nuk i ka shpëtuar as Shqipëria. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” kanë pasur një rritje graduale gjatë gjithë vitit e cila është bërë më e ndjeshme përgjatë gjysmës së dytë. Kulmi i rritjes për këtë produkt është regjistruar në muajin Qershor të vitit të kaluar me 26.1%.
Por sa kanë qenë çmimet konkrete të shitjes gjatë vitit 2023 në tregjet kryesore të shumicës?
Të dhënat e gjeneruara nga portal i fermerit dhe të analizuara nga SCAN për 10 tregje shumicë në të gjithë vendin për produktin e patates, tregojnë se çmimi maksimal i shitjes ka variuar nga 85 lekë ne tregun e Lushnjës duke prekur pikun prej 135 lekësh për kg për në tregun e Gjirokastrës. Ndërsa në tregun Durrës dhe Elbasan ka variuar specifikisht 112 lekë dhe 120 lekë për kg.
Ndërsa produkti i patates së ardhur nga importi ka arritur çmimin maksimal në tregun e Elbasanit në 280 lekë për kg.
Por duket se ky trend ka ardhur në rënie përgjatë 2024 në pjesën më të madhe të tregjeve të shumicës, duke përjashtuar Gjirokastrën ku çmimi maksimal rezulton në 200 lekë për kg për periudhën Janar dhe deri më 6 Shkurt, dhe çmimi më i ulët maksimal është në Divjakë me 55 lekë për kg. Ndërsa çmimi maksimal i shumicës nga importi arrin deri në 80 lekë/kg.
SCAN TV