Fier/Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, banues në Roskovec, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. S., 39 vjeç, banues në Patos, pasi nga kontrollet në servisin e tij, në Fier, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 5 automjete dhe pjesë për këmbim, që dyshohet se janë të kontrabanduara.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. M., 31 vjeç dhe F. T., 51 vjeç, të dy banues në Fier, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar, pasi ka tentuar të vjedhë në një banesë në fshatin Kolonjë.
Paraditen e djeshme, në Komisariatin e Policisë Fier, ka kallëzuar shtetasja E. B., se më datë 01.04.2024, është larguar nga banesa, djali i saj 16-vjeç. Punohet për gjetjen e të miturit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.