Duket se ndikimi i festave të fundvitit ka filluar të duket të një sërë treguesish ekonomikë, ku mes tyre edhe inflacioni. Në muajin Nëntor të këtij viti inflacioni në vendin tonë regjistrohet në 2%, nivel ky më i lartë nga norma e një muaji më parë, e cila regjistrohej në 1.9%. Ndërkohë, një vit më parë ky ndryshim ishte 3.9%, ndërsa ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Nëntor të vitit 2024, krahasuar me Tetorin e po të njejtit vit është -0.02%.
Por cilat grupe kontribuan në rritjen e çmimeve? Të dhënat tregojnë se rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.11 pikë përqindje. Po ashtu, në rritjen vjetore ka kontribuar edhe grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.27 pikë përqindje dhe grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.25 pikë përqindje. Nga ana tjetër, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” ndikoi me 0.19 pikë përqindje, grupi “Veshje dhe këpucë” me 0.15 pikë përqindje, dhe grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0.12 pikë përqindje. Grupi “Hotele, kafene dhe restorante” pati një ndikim me 0.10 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Nëntor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 5.7%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 4.0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.3% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.2%. Nga ana tjetëtr, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 1.9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1.8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.4%, “Shëndeti” me 1.1%, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.8% secili. Ndërkohë, çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 5.4%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 7.5%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4.2%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 2.8%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 1.9%, etj.