Kultura e grurit ka qenë një nga drithërat që mbillej më gjerësisht në vend prej fermerëve. Muaji tetor është periudha e mbjelljes së grurit, por sipas përfaqësuesve të kompanive të shitjes së farave dhe agronomëve është në rënie interesi i fermerëve për mbjellje. Vasfi Sherifi, drejtues i kompanisë AGROVAS-SHE, për tregtimin e farave, fidanëve dhe plehrave kimike, njëkohësisht dhe me profesion agronom tha se sivjet pritet rënie deri në 15% të të mbjellave në zonën e Korçës.
Shkak, sipas tij, është mungesa e tregut për shitjen e produktit. Për periudhën 2023-2024, gruri i prodhuar nga fermerët mbeti stok, nga rënia e çmimit 50 deri në 60% krahasuar me çmimin e shitjes në 2022.
Interesi i fermerëve për të shtuar të mbjellat me grurë është në rënie. Sivjet mendohet që të mbjellat të bien deri 15%. Kjo ka ardhur tërësisht për shkak të rënies së çmimit të shitjes së grurit dhe të mbetjes së tij stok. Ndërsa kostot e prodhimit nuk janë shtuar. Çmimet e produkteve të plehërimit të grurit janë ulur deri 40% krahasuar me vitin 2022, ku për shkak të luftës në Ukrainë, pati shtrenjtim të lartë të tyre. Edhe çmimet e farës së grurit për mbjellje janë ulur” tha ai.
Agronomët pohojnë se për shkak të mosshitjes së grurit, fermerët janë të detyruar ta përdorin sasinë e prodhuar si ushqim për kafshët. Përveç mungesës së leverdishmërisë, shpopullimi i zonave malore ka sjellë që disa fshatra të largëta të mbeten pa mullinj të bluarjes së grurit. Pasja e një mulliri në fshat ka kontribuar ndër vite në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me grurë për popullatën vendase. Mungesa e tyre po ndikon te braktisja e mbjelljes së grurit në sasitë e vetë konsumit.
Për shkak të rritjes së lartë të çmimit të drithërave në 2022 në tregjet e huaja të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë, Ministria e Bujqësisë nxiti fermerët me subvencione direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për hektar për shtimin e sipërfaqeve të mbjella. Nga fermerët subvencionet u përfituan më maj të 2023. Me subvencione direkte u mbështetën 4 mijë fermerë me një fond prej 5 milionë USD. Financimi shtoi në zona të caktuara sipërfaqet e tokave me të mbjella deri në 40% sipas agronomëve.
Në 2023 sipas të dhënave të INSTAT sipërfaqja e tokës me mbjellje gruri arriti në 57,200 ha. Krahasuar me 2022 sipërfaqja e tokës e mbjellë me grurë u shtua 6%. Sipas agronomëve para viteve ’90 sipërfaqja e tokave të mbjella me grurë arrinte deri 200 mijë ha. Në raport me vitin 1998, periudha më e hershme e raportuar nga INSTAT, të mbjellat me grurë për 2023 u pakësuan 45%. Ndërsa sasia e prodhuar e grurit u rrit rreth 1% krahasuar me 2022.
Por fermerët e shitën grurin nën kosto, pasi çmimi u përgjysmua krahasuar me 2022. Në muajin korrik çmimi për shitjen e grurit 21 deri 23 lekë për kg, deri 33% më lirë se në 2023. Në raport me çmimin e shitjes së grurit vendas në 2022, rënia e çmimit është rreth 60%./ Monitor