Është gjetur në brigjet e Kroacisë trupi i pajetë i 40-vjeçarit Aurel Ndoni, që u mbyt teksa peshkonte në Porto Romano, Durrës.
Trupi i 40-vjeçarit me origjinë nga fshati Grabjan i Lushnjes, ishte nxjerrë nga deti në brigjet kroate disa kohë më parë dhe qëndronte në morg i paidentifikuar.
Por ditët e fundit një sinjalizim kishte mbërritur pranë familjes së Aurelit dhe i vëllai së bashku me dajën e tij kanë udhëtuar drejt Kroacisë për të bërë identifikimin dhe sjellë trupin në atdhe.
Këtë të shtunë, familjarët kanë përcjellë për në banesën e fundit 40-vjeçarin i cili që prej 25 shkurtit rezultonte i mbytur në det.
Aurel Ndoni ishte duke peshkuar me vëllain dhe një person tjetër, kur rrëshqiti nga gurët dhe ra në det. Por atë ditë deti ishte i trazuar dhe trupi i tij u zhduk menjëherë. Policia Kufitare, ajo e Durrësit dhe polumbarët e RENEA-s nisën kërkimet për disa ditë, por i ndërprenë ato pas një kohe të shkurtër.
Familjarët të zhgënjyer nga shteti dhe të braktisur prej tyre, nisën kërkimet private për gjetjen e trupit të tij. Ata kontrolluan vijën bregdetare nga Shkodra në Kavajë, por pa asnjë rezultat.