Industria e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë, në një deklaratë për median lidhur me vendosjen e tarifës 10% nga presidenti Amerikan Donald Trump për eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka propozuar një plan masash për të normalizuar situatën.
Paketa mbështetëse që IBMA kërkon për fermerët përfshin, rimbursimin e plotë të TVSH-së në masën 10% për të gjithë fermerët e këtij sektori, kompensimin e humbjeve nga zhvlerësimi i kursit euro/dollar, përmes një mekanizmi të stabilizuar, zbritje tatimore për kompanitë eksportuese që respektojnë standarde të larta cilësore, heqjen e tatimit mbi pagat deri në 80,000 lekë për punonjësit sezonalë, si dhe një sërë pikash të tjera që synojnë lehtësimin e barrës për prodhuesit vendas.
Në deklaratën e saj, IBMA thekson se mbetet e angazhuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet pozitive ekonomike me SHBA-në, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim konstruktiv nga të gjitha palët për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.
Vendosja e tarifës 10% për eksportet shqiptare përkthehet në rritje të kostove për kompanitë eksportuese, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin final të produkteve në tregun amerikan, duke i bërë ato më pak konkurruese.
Si pasojë, pritet një rënie e kërkesës për produktet shqiptare, ulje e vëllimit të eksporteve, si dhe humbje të konsiderueshme për mijëra fermerë dhe biznese të vogla në zonat rurale.
Ndërkohë, kompanitë që kanë investuar në teknologji dhe cilësi për të përmbushur standardet amerikane, tani përballen me një klimë pasigurie financiare, çka mund të ngadalësojë ndjeshëm zhvillimin e sektorit.
SCANTV