Ballina Shendeti Dyshohet se 12 viecarja ndërroi jetë nga hemorragjia cerebrale, policia nis hetimet 

Dyshohet se 12 viecarja ndërroi jetë nga hemorragjia cerebrale, policia nis hetimet 

Një vajzë 12-vjeçare nga Sukthi ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Durrësit, pasi pësoi një hemorragji cerebrale.

Sipas informacionit nga drejtoria e spitalit, e mitura mbërriti me autoambulancë në orën 09:30 të së premtes me kriza konvulsive. Pas trajtimit në urgjencën pediatrike, ajo u transferua në pavion, ku mjeku neuropediatër kërkoi një rezonancë magnetike, që nuk mundën ta kryejnë për shkak të konvulsioneve të përsëritura.

Rreth orës 16:00, pas një stabilizimi të pjesshëm, vajza u dërgua për skaner, i cili konfirmoi hemorragjinë cerebrale. Pacientja u intubua për shkak të rënies së oksigjenit, por gjendja e saj u përkeqësua dhe rreth orës 18:30 ndërroi jetë.

Mjekët dyshojnë se shkaku i hemorragjisë cerebrale mund të ketë qenë një aneurizëm i pashfaqur më parë ose një keqformim arteriovenoz, por ekzaminimet mjeko-ligjore priten të përcaktojnë shkakun e saktë.

Policia e Durrësit ka nisur hetimin për një rast tragjik ku një vajzë ka ndërruar jetë pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale. Sipas burimeve nga hetimi, mjekët kanë konfirmuar se shkaku i vdekjes është hemorragjia cerebrale.

Policia ka marrë në pyetje mjekët dhe ka nisur procedurën për ekspertizë mjeko-ligjore për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes.

Materialet e çështjes janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa hetimi do të vijojë me dëshmitë e nxënësve apo mësuesve  të shkollës, ku vajza ndoqi mësimin, si dhe të afërmve të saj, për të sqaruar më tej rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.

Brenda më pak se një muaji, ky është rasti i tretë që një e mitur humb jetën në spital, pas 12-vjeçarit nga Korça dhe 6-vjeçarit nga Lushnja. Të tre për sëmundje të pazakonta për moshën.