Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shtroi një darkë iftari në Shtëpinë e Bardhë të enjten, me rastin e muajit të Ramazanit. Ai deklaroi se kishte një “numër rekord” mbështetësish myslimanë dhe theksoi përkushtimin e administratës së tij ndaj paqes në Lindjen e Mesme, si dhe premtoi të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat u negociuan gjatë mandatit të tij të parë.
Çdo ditë po mbajmë premtimet tona ndaj komunitetit mysliman. Administrata ime është e angazhuar për të krijuar një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Po punojmë mbi Marrëveshjet historike të Abrahamit, për të cilat të gjithë thanë se ishin të pamundura. Dhe tani do të fillojmë t’i plotësojmë ato, sepse, siç e dini, Biden nuk bëri asgjë për t’i plotësuar. Ai nuk bëri absolutisht asgjë…”, tha Trump.
E nisëm pak ngadalë me ju, por më pas shifrat u rritën ndjeshëm”, shtoi Trump, duke folur për mbështetjen e myslimanëve për të gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.
Darka vjen mes tensioneve të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa shumë myslimanë kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj mbështetjes së SHBA-së për Izraelin dhe ofensivës ushtarake në Gaza, e cila ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima pas sulmit të grupit Hamas më 7 tetor.
Gjithashtu, raportime të reja sugjerojnë se Trump mund të shpallë një ndalim të ri udhëtimi që mund të përjashtojë qytetarët nga Afganistani dhe Pakistani. Kjo masë do të rikthente ndalimin e parë të vendosur gjatë mandatit të tij të parë, që preku shtatë vende me shumicë myslimane dhe u konfirmua nga Gjykata e Lartë në vitin 2018.