Pas 1 muaj kërkime, kapet Bledar Trëndafili, i cili dogji me benzinë ish bashkëshorten e tij Melisën.Mësohet se autori u kap në qytetin e Korçës, ndërsa prej 1 muaji iu fsheh policisë pas kryerjes së aktit të rëndë.
Ngjarja ndodhi pasditen e datës 31 Gusht, në lagjen 2 të qytetit, ku i hodhi benzinë ish bashkëshortes dhe i vuri flakën.
Prej asaj dite, policia ka patur kontakte me familjarë e të njohur, ndërsa kërkimet u shtrinë edhe në kryeqytet, por ai u kap pak minuta më parë në Korçë.
Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Dhorjela Çule, autori ka qëndruar i fshehur në zona të ndryshme të qarkut, ndërsa sot është kthyer në lagjen nr 4, atje ku u kap menjëherë nga forcat e policisë. Mësohet se deri më tani, nuk ka deklaruar asgjë para uniformave blu.
“Ndalohet 45-vjeçari që tentoi të digjte me lëndë djegëse, bashkëshorten e tij, rreth 1 muaj më parë. Në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në bashkëpunim me sherbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. T., 45 vjeç.
Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja për shkak të mardhënieve familjare”, mbetur në tentativë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 31.08.2024, në lagjen nr. 2, Korçë, ku ky shtetas tentoi të digjte me lëndë djegëse benzinë, bashkëshorten e tij, shtetasen M. T.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit.