Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimin dhe ka dërguar për gjykim Ilir Nukaj, njeriu i cili akuzohet për rrahjen brutale të çiftit të të moshurave Namik Rustemi dhe bashkëshorten e tij A.Rustemi, ngjarje kjo e ndodhur në tetor të vitit të kaluar
Ngjarja ndodhi më 13 Tetor në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të viktimës. Autori i dyshuar i ngjarjes është Ilir (Ledjan) Nukaj, teksa sipas dëshmive ai i dhunoi të moshuarit pasi nuk pranuan t’i shisnin alkool.Pesë ditë më vonë si pasojë e plagëve të marra 80-vjeçari do të ndërronte jetë.
NJOFTIMI I PROKURORISË FIER
Ushtroi dhunë ndaj të moshuarve duke i shkaktuar vdekjen njërit prej tyre, Prokuroria Fier dërgon për gjykim shtetasin I.N. për ‘Plagosje të rëndë me dashje’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin I.N. për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’ me pasojë vdekjen, në dëm të viktimës N.R. dhe për veprën penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’ në dëm të viktimës A.R. parashikuar nga nenet 88/2 dhe 89 të Kodit Penal yt.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimin penal nr. 1591, të vitit 2024,rezultoi se më datë 12.10.2024, në fshatin “Hoxhare e Re” (Povelçë), Njësia Administrative Dërmenas, bashkia Fier, shtetasi I.N., për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike ndaj të moshuarve N.R. dhe A.R. (bashkëshortë), ku si pasojë e dhunës së ushtruar ka gjetur vdekjen njëri prej tyre, shtetasi N.R.
Çështja penale dërgohet për gjykim në ngarkim të shtetasit I.N., hetuar më masë sigurimi “Arrest në burg”.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër shëndetit.
Kush është Ilir (Ledjan) Nukaj?
I akuzuari për dhunimin e çiftit të bashkëshortëve, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ilir Nukaj ka qenë akuzuar dhe dënuar për një ngjarje të ndodhur më shumë se një dekadë më parë, për “tentativë vrasje me paramendim”. Nukaj u dënua me 10 vite burg dhe në vitin 2020 ishte subjekt i Operacionit “Forca e Ligjit”, ku është proceduar për pasurinë, pasi iu dorëzuan edhe formularët.
Nukajt, që njihej edhe me emrin Ledjan, i është kërkuar të vetëdeklarojë burimin e pasurisë. Ai është banor në fshatin Povelçë, ku dhe ka ndodhur krimi dje në Fier. Mësohet se Ilir Nukaj për shumë vite ka jetuar jashtë Shqipërisë. Më datë 2 qershor 2012, rreth orës 01:00, Nukaj ka shkuar për të vjedhur në lokalin e shtetasit Helio Çela, i cili ndodhet ngjitur me banesën e tij.
Kur Nukaj ka thyer xhamin e derës së lokalit me qëllimin për të vjedhur, Helio Çela ka dëgjuar zhurmë e ka dalë në oborr. Ai ka shkuar për të kontrolluar së bashku me babanë Ferrik Çela, por se ka vënë re se në kanalin pranë lokalit qëndronte fshehur Ilir Nukaj. Ky i fundit është ngritur në këmbë dhe në dorë mbante një thikë. Në këtë moment, babë e bir e kanë neutralizuar dhe policia më vonë e ka arrestuar.
Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, Nukaj ka shkuar është konfliktuar me Helio Çelën, i cili e kishte kapur për vjedhje në flagrancë te lokali i tij. Pasi e ka sharë, e ka goditur katër herë me thikë në sup e kurriz. Për krimin, Nukaj është dënuar nga drejtësia.