Ministri i Brendshëm Taulant Balla, sot nga foltorja e Kuvendit, tha se Policia e Shtetit zbardhi në kohë rekord dhe arrestoi organizatorin e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në ish-Bllok.
Balla duke replikuar në Kuvend me nënkryetarin e Kuvendit, deputetin e Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, tha se priste reflektim nga opozita, pasi dhuna ndaj avokatit nuk kishte nuanca politike.
“Nuk do të kisha reaguar aspak nëse edhe ju nuk do të kishit rënë në pellgun e baltës që familja Berisha, vetë Sali Berisha dhe vetë zëdhënëset e Berishës nxituan dje të përdornin politikisht një ngjarje të rëndë. Për Sali Berishën kjo nuk është gjë e re”,tha Balla.
Kjo ngjarja e djeshme më ngjau me reagimin e parë të vetë Sali Berishës dhe të zëdhënësve të tij, sapo 12 shtator 1998 u vra lideri historik i vërtetë i PD, Azem Hajdari. Pra, kur ende policia po administronte vendi e krimit, njeriu doli në konferencë për shtyp dhe emërtoi Fatos Nanon si urdhërues të vrasjes. Historia tregoi gjithçka ndryshe. Drejtësia konfirmoi gjithçka ndryshe. Prisja sot nga ju, si numri 2 i PD, pas Berishës, si nënkryetar i PD, të vinit këtu dhe të thoni: “Dëgjoni, nuk ishte kështu, kjo është ngjarje e rëndë”. Nuk është sekret. Para pak minutash kam biseduar me doktorët e spitalit të Traumës, i falënderoj, profesor Olldashin dhe të tjerët, që po bëjnë një punë të shkëlqyer ndaj avokatit të nderuar, z. Mëngjesi. Dhe po ashtu, besoj se biem dakord që kjo është një prej atyre ngjarjeve, që brenda 10 orësh u zbardh i gjithë skema e krimit, dhe të gjithë personat e përfshirë, përfshirë këtu edhe porositësin, që është në burg”, tha Balla.
“Por ju nuk ndryshuat edhe kur në orën 18:00, drejtori Policisë së Tiranës Tonin Vocaj zbardhi të gjithë ngjarjen. Prisja që të kishte një reflektim, por jo, sërish tek rruga e Salës, e njëjta histori, “u porosit nga Rama, u ekzekutua nga Balla”. Po mirë, shqiptarët i dini budallenj? Për një gjë që duket qartë, duhet të falënderoj dhe avokatët e tjerë, që ndihmuan menjëherë policinë në zbardhjen e saj dhe Ministria e Drejtësisë, po ashtu iu bashkua solidaritetit që ka nevojë shoqëria për të reaguar njëzëri”, tha Balla