“Ursula von der Leyen e quan atë ‘i dashur Edi’, që është tashmë një sinjal,” thotë Frauke Seebass nga zyra e Brukselit e Fondacionit për Shkencë dhe Politik: “Duhet ta shohësh fenomenin Rama në një kontekst më të gjerë – nga këndvështrimi i BE-së, bëhet fjalë për një qasje pragmatike për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor; Rama konsiderohet, ndryshe nga Aleksandar Vučić në Serbi, si jo anti-europian, më i butë; për këtë arsye, është vendosur që t’i mbyllet një sy, nëse jo dy.”
A po pasurohet Rama në kurriz të të tjerëve?
Nga perspektiva e Brukselit, kjo nuk është dhe aq e rëndësishme,” thotë Seebass: “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk është në rendin e ditës për momentin.”
Kryeministri vetë tha për televizionin shtetëror italian Rai: “Nuk mendoj sinqerisht që politika në Shqipëri është helmuar nga mafia.” Pretendimi i Ahmetajt, që bosët e mafias hyjnë dhe dalin nga zyra e tij, është një shpifje sa e pavërtetë, aq dhe e dëmshme pasi “njerëzit priren të besojnë më shumë gënjeshtrat sesa të vërtetën.”
Rama shqetësohet për reputacionin e vendit të tij. “Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, durimi ynë është pothuajse i pafund,” siguroi kryeministri për SPIEGEL dy vjet më parë në vilën e tij në Adriatik: Shqipëria ishte një diktaturë e izoluar, “Koreja e Veriut e Europës, ku në fund të viteve tetëdhjetë ishte ende e rrezikshme të dëgjoje Beatles. Prandaj unë pohoj se ne, në kuptimin absolut, kemi arritur më shumë në këto 30 vite sesa çdo vend tjetër i Europës.”
Varfëria, papunësia, emigrimi
Statistikat tregojnë të kundërtën. Që nga viti 1991, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, më shumë se një e treta e popullsisë prej 3.3 milionë banorësh ka emigruar nga vendi. Paga mesatare është rreth 750 euro. Gati një e treta e të rinjve që kanë mbetur janë të papunë.
Shkrirja e interesave politike dhe mediatike me ato të kriminelëve dhe oligarkëve” – kështu funksionon sistemi Rama, thotë një ish-anëtar i qeverisë, që dëshiron të mbetet anonim: “E gjithë kjo ndodh me bekimin e BE-së dhe SHBA-së.
Nuk ka asnjë tender publik që nuk bie në duart e rrethit të tij të zgjeruar. Në thelb, Rama ka zhytur gjithë vendin në kriminalitet. Shqipëria tani është një rast studimi për korrupsion, dhe megjithatë Rama, i zgjuar siç është, arrin të fitojë njohjen në Perëndim.”
Fatos Lubonja është një nga ata që mban qëndrim të vendosur për një kritikë të thellë ndaj kryeministrit. Si shkrimtar dhe autor i shquar, ai konsiderohet ndërgjegjja e së majtës shqiptare. Lubonja është djali i një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Enver Hoxhës, i cili më vonë u vu nën kritika. Ai kaloi 17 vjet në burg, shumicën e kohës në kampe pune të detyruar, si në minierën famëkeqe të Spaçit.
Vetëm në vitin 1991, si një nga të fundit të burgosur politikë, u lirua.
“Te Edi Rama i ri e kam parë veten,” thotë Lubonja. “Të dy donim të dilnim nga hija e etërve tanë të lidhur me regjimin.” Por, në vitin 2000, Rama u bë kryebashkiak i Tiranës, dhe që nga viti 2013 është kryeministër.
Sipas Lubonjës, vitet e gjata në pushtet e kanë ndryshuar shokun e tij të dikurshëm: “Ai është bërë një narcisist i keqdashur, një njeri shumë i zgjuar, por pa parime. Ditën sillet si Dr. Jekyll, natën si Mr. Hyde, një person që ka nevojë për pushtetin ashtu siç ka nevojë për ajrin për të jetuar.”
Lubonja gjithashtu kritikon Perëndimin, veçanërisht familjen e partive socialiste të Evropës, për mbylljen e syve ndaj realitetit të zymtë në Shqipëri. “Ajo ç’ka është nafta për vendet e tjera, në Shqipërinë e Ramës janë tregtarët e drogës me paratë e tyre,” thotë ish-disidenti.
Gjatë një përballjeje të fundit mes tyre, Lubonja e quajti Ramën një “mashtrues”, por mendon se kjo nuk i bën shumë përshtypje kryeministrit: “Sepse ai është si një krokodil – flet shumë, por nuk dëgjon fare,” ose “shumë gojë, pak vesh.”