Një ekip hetimor i fshehtë i Daily Express ka ekspozuar një bandë kontrabandistësh njerëzish.
Trafikantët e njerëzve janë kapur duke u mburrur para një ekipi të fshehtë të Daily Express për drejtimin e kalimeve vdekjeprurëse me varka të emigrantëve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar. Gazetarët në këtë dokumentar të ri, që pason artikullin e disa ditëve më parë ku jepnin rezultatet e hetimit, tregojnë gjithë skemën sesi ranë në gjurmët e këtij grupi dhe sesi arritën të depërtonin në brendësi të tij. Ata zbulojnë të gjitha komunikimet në telefon dhe për herë të parë bëhen publike inçizimet e bisedave me trafikantët dhe sesi bëheshin transfertat e parave të trafikut.
“Mini-dokumentari ynë i ri përmban biseda të inçizuara fshehurazi me kontrabandistët shqiptarë, të cilët detajuan brutalitetin dhe deri ku arrijnë për të fituar para. Duke shfaqur klipe ekskluzive nga reklamat e kontrabandistëve të postuara në mediat sociale, raporti ynë zbuloi se, gangsterët diskutonin mënyrat për të mashtruar autoritetet për të fshehur aktivitetet e tyre të paligjshëm”, shkruan gazeta.
Hetimi ndaj bandave shqiptare u nxit nga një rritje masive e njerëzve nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, një prirje e lehtësuar edhe nga rrjetet kriminale nga MB që janë të angazhuar në tregtinë e kontrabandës.
“Në varësi të mënyrës se si e shikoni, një deri në dy përqind e të gjithë meshkujve të rritur të Shqipërisë ka udhëtuar në MB me varkë të vogël,” u tha deputetëve vitin e kaluar komandanti i Forcave Kufitare të MB, Dan O’Mahoney.
“Rritja ka qenë eksponenciale. Mendojmë se kjo është kryesisht për faktin se bandat kriminale shqiptare kanë zënë vend në veri të Francës dhe kanë filluar të lehtësojnë një numër shumë të madh emigrantësh”.
Duke u paraqitur si një familje shqiptare që kërkon të transportonte të afërmit e tyre në Angli, ne kontaktuam lehtësisht me disa trafikantë që reklamonin udhëtime me varka të vogla në platforma të ndryshme të mediave sociale.