Ballina Shqiperia ime Çmimet në Shqipëri nuk kanë të ndalur 

Çmimet në Shqipëri nuk kanë të ndalur 

Duket se çmimet në vendin tonë do të vijojnë trajektoren rritëse, të paktën sa I përket parashikimeve të sipërmarrjes. Sektorët kyç të ekonomisë si ndërtimi, shërbimet dhe tregtia presin çmime më të larta të produkteve.

Të paktën këto janë disa nga projeksionet e përmbledhura në vrojtimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë për besimin e biznesit dhe konsumatorit që i referohet muajit të kaluar. Treguesi i besimit të industrisë u rrit lehtësisht me 0.5 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për  prodhimin, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë pothuajse të njëjta me ato të një muaji më pare.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit ndjeshëm me 9.1 pikë përqindjeje, duke u ngjitur pranë vlerave më të larta historike. Rritja në dhjetor u përcaktua nga vlerësimet më të larta për aktivitetin aktual ndërtues dhe për nivelin e porosive. Ndërkohë, edhe pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 2.6 pikë përqindjeje, duke qëndruar në intervalin e vlerave më të larta historike. Ecuria aktuale e aktivitetit dhe niveli i kërkesës kanë regjistruar rritje, ndërsa pritjet e bizneseve për kërkesën, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.

Treguesi i besimit në tregti qëndroi pothuajse i pandryshuar krahasuar me vlerën e një muaji më parë. Nga ana tjetër, pritjet për ecurinë e biznesit dhe çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rritje.

Sa i përket treguesit të besimit konsumator, u regjistrua vlerë e përafërt me atë të muajit paraardhës dhe u përcaktua nga pritje pothuajse të pandryshuara për situatën e  përgjithshme ekonomike, financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar në rënie.

/SCAN