Përmirësimi i infrastrukturës rrugore po sjell lehtësi në qarkullim në këtë sezon turistik. Por ndërsa intersi për ta vizituar Shqipërinë është i lartë, ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj ka thënë për SCAN tv se synim nuk duhet të jetë turizmi masiv, por ai cilësor dhe me standarde bashkëkohore.
“Çdo investim në infrastrukturë e bën atë një element lidhës, automatikisht ndikimi i saj në ekonomi është gjithmonë në rritje dhe në sektorin e turizmit gjithomë edhe më shumë, sepse Shqipëria ka shumë vende të bukura dhe është pikërisht infrastruktura një nga elementët që ka munguar në vitet e tranzicionit. Çdo vepër që bëhet me synim për të shkurtuar distancë, automatikisht bëhet jo vetëm për përfitueshmëri kohore, por dhe përfitueshmëri ekonomike. Kur ne llogarisim një tarifë, elementi bazë është kosotoja se sa mua më ka kushtuar dhe elementi i dytë është distanca”- thotë ekspertja
Nunaj ka theksuar se promovimi i Shqipërisë ka ndikuar në shtimin e interesit të investitorëve strategjikë dhe ky duhet të jetë synimi, turizmi elitar.
“Ne duhet të zgjedhim mes turizmit elitar dhe atij masiv. Ky i fundit shkakton dëme në natyrë, monumente etj. Nuk duhet të shesim rërën e detin, ky çmim i rritur të jetë ekuivalent i cilësisë së shërbimit dhe produketeve”- thotë Nunaj.
Sipas ekspertes Nunaj, duhet të hiqet dorë nga mentaliteti i fitimit të shpejtë, pasi po e dëmton sektorin.