Për të përmbushur nevojat e tregut në rritje, vendi ynë ka zgjeruar ndjeshëm kanalet e importit, siç konfirmohet nga të dhënat zyrtare për tregtinë e jashtme. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, importet e zarzavateve janë rritur me 43.5%, ndërsa importet e frutave janë rritur me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo tregon një intensifikim të konsiderueshëm të importeve të frutave duke sfiduar kështu prodhimin vendas. Nga ana tjetër, INSTAT raporton se eksporti i frutave në sasi për periudhën janar-qershor 2024 është rritur me 63.4%, por në vlerë është zvogëluar me 10.21%.
Një analizë e të dhënave historike që nga fillimi i këtij viti tregon se sasia më e lartë e importit të zarzavateve u regjistrua në muajt shkurt dhe mars. Në të kundërt, importet e frutave arritën kulmin në mars të këtij viti, një periudhë kur edhe sezoni i prodhimit vendas ka nisur. Gjatë marsit, importuam 49% më shumë fruta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahas importeve Scan Intel ka analizuar shifrat për të kuptuar edhe mbi situatën e eksporteve për këto dy kapituj.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit eksportet për frutat dhe arrat e ngrënshme arritën në 1.9 mld lekë ose 10.2% më shumë se një vit më parë. Ndërsa, po në të njëjtën periudhë u eksportuan 7.8 mld lekë zarzavate ose 4% më pak se në gjashtë mujorin e vitit 2023.
Por çfarë e shtyn vendin tonë drejt prodhimit të jashtëm? Përveç efektit të emigracionit në zonat rurale dhe mungesës së fuqisë punëtore, edhe turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore, duke orientuar vendin tonë drejt tregut të jashtëm për të përmbushur kështu kërkesen e shtuar konsumatore.
SCAN