Ballina Bota Britani/ Goditet rrjeti i trafikut të drogës, dënohen dhe 3 shqiptarët!

Britani/ Goditet rrjeti i trafikut të drogës, dënohen dhe 3 shqiptarët!

Tetë persona janë dënuar me burg për drejtimin e një rrjeti trafiku të kokainës me vlerë 7 milionë paund në Wiltshire, i cili operoi nga viti 2016 deri në 2020 dhe kishte lidhje me një grup kriminal shqiptar.

Sipas BBC, kreu i organizatës, Warren Allison, 36 vjeç, u dënua me 23 vjet burg, ndërsa vëllai i tij, Kelroy Allison, 41 vjeç, mori 16.5 vjet burg. Policia tha se Warren Allison kishte blerë një Lamborghini me fitimet e paligjshme.

Hetimi përfshiu analizimin e mijëra dokumenteve, bisedave telefonike, të dhënave të telekomit dhe pamjeve të mbikëqyrjes. Banda blinte drogë me shumicë dhe përdorte rrjete të koduara komunikimi, si EncroChat, për shpërndarjen e saj.

Për transportin, ata kishin një automjet të modifikuar posaçërisht dhe një shofer të besuar, Richard Cowell, 57 vjeç, i cili përdorte një ndarje të fshehtë në makinë për të transportuar kokainën dhe paratë. Ai pranoi se kishte punuar edhe për grupe të tjera kriminale dhe u dënua me 9 vjet burg.

Ndërkohë, e dashura e Warren Allison, Porcia Densley, 38 vjeç, luante rolin e “menaxheres financiare”, duke mbledhur dhe shpërndarë paratë. Ajo u dënua me 8 vjet burg.

Policia ndërhyri në një dorëzim droge në Bristol, ku kokaina po i kalonte Anthony Burke, kushëririt të vëllezërve Allison. Burke, 34 vjeç, u dënua me 8 vjet burg.

Dy shqiptarë, Ledian Hoxha, 38 vjeç, dhe Pjetër Pisha, 37 vjeç, ishin furnizuesit kryesorë të drogës. Ata tentuan të largoheshin nga Britania, por u arrestuan. Hoxha u dënua me 7 vjet e 4 muaj, ndërsa Pisha me 6 vjet e 8 muaj burg.

Një tjetër shqiptar, Enid Aliko, 28 vjeç, i cili kishte siguruar pajisje të koduara dhe vepronte si ndërmjetës për grupin kriminal shqiptar pas arrestimeve, u dënua me 4 vjet burg.

Gjatë gjyqit 12-javor, Allison dhe Cowell pretenduan se mesazhet e tyre koduara lidheshin me tregtinë e rrobave false dhe jo me drogën, por prokurorët paraqitën prova të shumta që dëshmonin aktivitetin kriminal të rrjetit.