Ballina Shqiperia ime Bora zbardh vendin/ Korçë, 1.5 metër borë në Mashkullorë, kalimi vetëm me...

Bora zbardh vendin/ Korçë, 1.5 metër borë në Mashkullorë, kalimi vetëm me zinxhirë

Bora dhe temperaturat  e ulëta kanë përfshirë veriun dhe juglindjen e  vendit.

Në Mashkullorë të fshatit Panarit në Korçë  trashësia e borës ka  arritur në rreth 1 metër e gjysmë duke izoluar banorët e zonës.  Bashkia e Korçës po punon për të hapur rrugën e fshatit.

Bora ka zbardhur Dardhën dhe Voskopojën ndërsa  në zonat malore të Kukësit trashësia e saj i ka kaluar 40 cm.

Në rrugët kombëtare sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar automjetet  mund të qarkullojnë  pa probleme, por kur udhëtojnë në zona  malore drejtuesit  duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

Për shkak të masave ajrore të ftohta e të lagështa me origjinë nga veriperëndimi sinoptikanët parashikojnë një javë me mot të paqëndrueshëm.

Kthjellimet pritet të alternohen me vranësira.  Të mërkurën parashikohen reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit. Në  veriperëndim dhe jugperëndim  të vendit   sipas sinoptikanëve priten reshje  me intensitet mesatar.  Ndërsa në lartësitë 1000-1200m parashikohen  reshje bore me intensitet të ulët.

Temperaturat e ajrit  pritet të bien dhe termometri të shënojë  vlera nga   -1  deri në  jo më shumë  se 19 gradë celcius.