Bonusi i lindjeve është shpërndarë në një vlerë 6 milionë euro më pak në 8 mujorin e parë të vitit, në raport me planifikimin e bërë nga qeveria.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për periudhën Janar- Gusht janë dhënë për bebet 1.2 miliardë lekë apo rreth 12 milionë euro nga 1.8 miliardë lekë të dhëna në të njëjtën periudhë të një viti më pare. Shifra ka arritur në nivel të barabartë me të njëjtën periudhë të vitit 2019 kur nisi kjo iniciativë.
Si faktor kryesor në këtë shifër shpenzimesh ka ndikuar rënia e lindshmërisë, ku sipas të dhënave të INSTAT, numri i lindjeve për tremujorin e parë 2024 shënoi një rënie me 6,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023 dhe në tremujorin e dytë ka rënë me 3.4%, ku janë regjistruar 5269 lindje në total.
Nga ana tjetër, në këtë rënie të pagesave nga buxheti i shtetit për këtë program ka ndikuar edhe iniciativa e cila u miratua vitin e kaluar, ku emigrantëve shqiptarë të cilët sillnin në jetë fëmijë jashtë vendit, iu hoq e drejta për të përfituar këtë shpërblim me argumentin se qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë në Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.
Bonusi i lindjes është vendosur në formën e ndihmës së menjëhershme financiare për prindërit me foshnja të porsalindura që nga viti 2019. Ndihma e dhënë është në masën 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 mijë lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim.
Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, masa e përfitimit është masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë dhe për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh masa e përfitimit është 120 mijë lekë për secilën.
Bonusi përfitohet menjëherë pasi prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në gjendjen civile për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. Përgjatë këtij viti fondi total është parashikuar 2.2 miliardë lekë, ndërsa në 2023-shin, tejkaloi nivelin prej 3.3 miliardë lekësh.
SCAN