Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur me një buf gjatë konferencës për shtyp.Duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, Berisha u shpreh se bufi është simboli i mençurisë dhe diturisë.
“Filmojeni pak, ju lutem mos harroni. Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.
Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.
Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar. Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini.”, tha Berisha.