Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij me mbështetësit në Fier, është ndalur te minimumi jetik dhe pensionet. Ai ka deklaruar se PD, do të vendosë 200 euro minimumin jetik dhe sipas tij kjo do të ndryshojë jetën e 57 përqind të pensionistëve në Shqipëri që nuk marrin pension të plotë.
Berisha u ndal edhe tek Porti i Durrësit, teksa u shpreh se 1.3 miliardë euro që janë planifikuar nga shuma për ndërtimin e Portit do të merren nga PD dhe do u shpërndahen qytetarëve rroga dhe pensione.
Prandaj dhe ju duhet të uleni me çdo banor të këtij rrethi, të uleni.
Kemi premtuar 200 euro minimum jetik dhe me këto 200 euro ndryshojmë jetën e 57 përqind të pensionistëve në Shqipëri që nuk marrin pension të plotë. Ndryshojmë jetën e të gjithë pensionistëve në fshat. Ndryshojmë jetën e çdo qytetarit të papunë. Ndryshojmë jetën e çdo qytetari në ndihmë ekonomike.
Pse kjo?
Po një qeveri që zgjidhet nga qytetarët e vet, detyrë parësore ka të mbrojë interesat e tyre.
Vetëm një kolonialist që urren kombin që ka pushtuar, mund të lerë 16 milionë euro për 780 mijë pensionistë.
Do i thonë se ku i gjen ky lekët? Secilit do u jepni dy sqarime. Kur ky zotëria ishte kryeministri, buxheti nuk ishte 8 miliardë, ishte më së shumti 4 miliardë. Por buxheti ndahej, fondi për rrugët dhe fondi për qytetarët. A u dyfishuan rrogat? Të dalë një arsimtar, një infermier, një mjek që të thotë nuk u dyfishuan rrogat.
Por sigurisht nëse vepron siç vepron ky që lë një të dhjetën për rrogat dhe një të 512-tën për pensionet, natyrisht njerëzit do flasin me vete, natyrisht njerëzit do vuajnë për kafshatën.
Atëherë pra, shtroni pyetjen, si ka mundësi me një buxhet sa gjysma e këtij, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë nga Hani i Hotit në Koshovicë të Gjirokastrës. Si ka mundësi që u dyfishuan rrogat, u dyfishuan pensionet? Sigurisht se paratë ndaheshin.
Çfarë ndodh sot? Ku shkojnë paratë e tjera? Paratë e tjera shkojnë në xhepat e qeveritarëve.
Sepse miqtë e mi, jeni dëshmitarë, këtë rrugën që lidh Lushnjen me Fierin, e kemi ndërtuar me 1 milion euro kilometrin.
Rrugën nga Shkëmbi i Kavajës gjer në Lushnje, përveç segmentit që kemi gjetur, e kemi ndërtuar me 1.2 milion euro kilometrin.
Bajpasi i Fierit ishte në projekt me 2.3 milion euro kilometri, që është 27 metra i gjerë, me gjithë ato vepra arti.
U fut Edi Rama me Vali Bizhgën dhe e transformoi çmimin.
Pra, ku do i gjejmë paratë? Paratë janë sepse këta ndërtojnë rrugën me 10-fishin, me 15-fishin e çmimit. A janë rritur çmimet e ndërtimit gjatë këtyre viteve? Po. Sa janë rritur? Çmimet janë rritur gjithsej 35 përqind.
Pra nëse ka kushtuar 1 milion euro, sot duhet të kushtojë 1.3 milionë euro, jo të kushtojë 15 milionë euro. Këta vjedhin 90 përqind të atyre që prokurojnë.
Ku do i gjejmë paratë? 1.3 miliardë euro do i marrim nga Porti i Durrësit. Po mbyll portin mijëravjeçar për të ndërtuar në Porto Romano me 1.3 miliardë euro portin e ri. Jo, nuk do ndërtohet. Ato 1.3 miliardë do u shpërndahen qytetarëve rroga dhe pensione.
Dhe u garantoj një gjë ju, që ky është vetëm fillimi.
Ky është vetëm fillimi dhe është me rezerva të forta se mund të themi edhe më shumë.
Ky bazament është i shkëlqyer që ne të ecim dhe të dalim sërish në krye.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ju duhet të shkoni tek çdo qytetar i Fierit, tek çdo pensionist.Garantoj rritje progresive me 15-20 përqind gjersa të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet.
Të vërtetat e këtij programi duhet të jenë Leva e Arkimedit e juaj për të bindur çdo qytetar të këtij rrethi.
Shkoni tek fermerët, çfarë kanë lënë këta për fermerët këtë vit? 31 milionë euro. Kanë lënë ekzakt 0.9 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Fermerët i japin vendit 19 përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. A mund të imagjinohet kund në botë kjo? Keni dëgjuar ju të flitet më për fermerët, të flitet për ullinjtë, të flitet për lopët e racës? Nuk ekzistojnë më në fjalor.
Myzeqeja arriti në 35 mijë kokë lopë race. Myzeqeja arriti me dhjetëra e qindra sera. Çdo gjë degradoi me Ballkanin e Hapur. Çdo gjë degradoi me ndërprerjen e subvencioneve.Do subvencionohet fermeri për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti.
TVSH-ja për përpunuesit do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje.
Absolutisht do mbrohen prodhimet e fermerëve shqiptarë.
Përsëri u kthemi projekteve tona, nga 4 milionë kaluam në 11 milionë rrënjë ullinj. Do ecim drejt 20 dhe drejt 50 milionë rrënjë ullinj në kodrat e mbarë Shqipërisë, nga Hani i Hotit gjer në Gjirokastër.
Pra, do i rikthejmë fermerit tonë suksesin, mundësinë e pasurimit me djersën e tij.
E njëjta gjë me bizneset. I shkatërruan bizneset me konkurrenc të pandershme, me narkoeurot. Nuk ka sukses më në biznes.
Falimentojnë njëri pas tjetrit. Përgjysmim i taksave për bizneset, garantim i konkurrencës së ndershme. Prerja me gërshërët e ligjit e të gjitha lidhjeve me krimin.
Do t’i kapim kriminelët atje ku të jenë, kudo që të jenë.
Sepse aty ku rrinë në Dubai, në Aruba apo kudo tjetër, përcjellin helm në Shqipëri.
Paratë e tyre janë para toksike, para që shkatërrojnë ekonominë shqiptare.
…Ja urdhëro, as ata 31 milionë euro nuk ua japin fermerëve, ua vjedhin.
Ai 8 miliardë do ndahet mirë. Nuk do ndahet kurrë në këtë mënyrë.
Do jepet karta e konsumatorit. Rroga minimale nuk do jetë kurrë nën 500 euro. Sipërmarrësve do u kompensohet çdo gjë që humbasin nga rritja e kësaj rroge.
Ne kemi pra një program, i cili përmbys shpërndarjen e të ardhurave dhe vendos qytetarin në epiqendër.
Kemi një program që i jep goditje të fortë mjerimit, e zhduk nga Shqipëria mjerimin, siç e kanë zhdukur kombe të tjera.
Kemi një program që barazon fermerin shqiptar me fermerët e rajonit.
Kemi një program që mbështet fuqishëm biznesin.
Ndaj dhe kërkohet të takojmë, të bisedojmë çdo ditë me qytetarët e Fierit, me fermerët e Fierit dhe të ecim të sigurt drejt fitores.
Dhe njëherë ju falënderoj dhe në emër tuaj i çoj një përshëndetje vëllazërore nënkryetarit të PD, deputetit, martirit të fjalës së lirë, Ervin Salianji.
E garantoj se ata, të cilët u sollën si xhelatë të fjalës së lirë, do përgjigjen me rreptësinë më të madhe para ligjit.
Edi Rama ndoqi rrugën e të atit, ndaj dhe do i japim atë që meriton.
Edhe njëherë, le t’i shndërrojmë këto muaj në muajt e betejës tonë fitimtare.
Rrofshi ju, rroftë Fierit, fitore, fitore.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë!