Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot se do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 11 majit. Megjithatë, Berisha tha se nëse PD fiton zgjedhjet se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm do të përcaktohet nga vota e demokratëve.
Pyetje: Flitet në korridore që s’do të jeni kandidat për kryeministër në 11 maj?
Berisha: Kjo vetëkuptohet. Është afërmendsh, nuk ka diskutim. Pasi të fitoj zgjedhjet do të hapim një votim për kryeministër, kush të dojë të sfidojë Sali Berishën. Kur hapet gara, hapet nga opozita jo nga PS. Kush të dojë.
Berisha fton sërish ramën në debat televiziv: Unë kurrë nuk ndjek veprimet e kundërshtarit, përveçse një fakti, unë e kam ftuar atë që të vijë të përballemi në një studio televizive. Ai nuk ia mban, ka frikë nga vetja e tij dhe e di që del nga ai emision në mënyrë figurative “lakuriq”, me ato që do t’u faktoj shqiptarëve për bëmat e tij dhe kjo është arsyeja që ai nuk mund të dalë. Ai ka probleme edhe me memorien. Ju kujtohet kur shkruante në dorë dhe e shihte si nxënës i klasës së I apo III. I kam thënë hajde edhe me sufler, merri me vete, por hajde të përballemi se e kërkon rregulli, e kërkojnë shqiptarët. Duhet të na shohin përballë njëri tjetrit.Kreu i PD Sali Berisha në një konferencë për mediat pas kthimit nga Gjermania deklaroi se udhëtimi i tij drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores.
Berisha u shpreh se CDU në Gjermani pret me padurim fitoren e Partisë Demokratike në Shqipëri. Sipas tij, Konventa e CDU-së tregoi përzemërsi ndaj përfaqësuesve të PD-së.
Sali Berisha: Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. 32 vite më parë kam qenë në Gjermani, në Bon atëherë dhe takova Helmut Koln. Historia përsëritet. Në atë kohë, pak kohë kishim që kishim dalë nga izolimi komunist, ndërsa tani dola nga izolimi i narko-shtetit.
Atëherë PD fitoi zgjedhjet, këtë herë PD fiton zgjedhjet. CDU pret me padurim fitoren e Partisë Demokratike, dëshirojnë fitoren e forcës tonë politike. Aleatët tanë e kanë të qartë se me PD në pushtet, ka zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera. Gjeta një dashamirësi të pakufijshme.