Me telefon nga burgu, Fredi Beleri insistoi përsëri të tregonte në një intervistë për Reuters se të vetmin vendim të drejtë do të konsideronte lirimin e tij, dhe qëndrimin prapa hekurave nën akuzat e blerjes së votës i përshkroi sërish edhe për agjencinë e njohur të lajmeve si të pavërteta e të motivuara politikisht.
Nën euforinë e fitores në votimet që u mbajtën në Greqi për Parlamentin Europian, ku ishte në listën e kandidatëve për eurodeputet, të Partisë “Demokracia e Re “ të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, ai përcolli dhe një mesazh mes rreshtave të të cilit, lexoheshin tone të qarta paralajmëruese për Shqipërinë. “Shqipëria nuk mund të sillet si një shtet jo-europian”, pohon Beleri në intervistë.
“Anëtarësimi i Shqipërisë është në interesin e të dy vendeve. As unë, as qeveria greke nuk duam të cenojmë integritetin e asnjë shteti. Por një Shqipëri si pjesë e BE-së, që nuk respekton sundimin e ligjit dhe vullnetin e popullit, nuk ka vend atje”, shprehet më tej ai.
Ndërkohë, fakti që seancat e fundit gjyqësore dështuan për shkak të mosparaqitjes së avokatëve te tij, po interpretohet si shenjë e faktit se ai mund të tentojë ta kthejë këtë çështje në subjekt debati në Parlamentin e ri Europian. Beleri dallon eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i BE-së.
Komisioni i Çështjeve Ligjore të Parlamentit Europian kontrollon kredencialet e reja të deputetëve të parlamentit duke marrë vendime bazuar në informacionin që ofrojnë shtetet anëtare.