Ballina Aktualitet Be miraton fondin për “Planin e Rritjes”, Shqipëria merr 64.5 milionë euro...

Be miraton fondin për “Planin e Rritjes”, Shqipëria merr 64.5 milionë euro parafinancim

Shqipëria sapo ka marrë 64.5 milionë euro parafinancim sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor! Kjo pagesë e parë mbështet reformat dhe investimet e Shqipërisë për të forcuar vendin dhe për ta afruar atë me BE-në”.

Lajmi është dhënë nga Ambasada e BE në vendin tonë me anë të një postimi në rrjetin social “X”.

Ambasadori i BE Silvio Gonzato ka uruar Shqipërinë për atë që e quajti një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në BE.

“Urime Shqipërisë për arritjen e një tjetër momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”, shkruan Gonzato.

Me këtë parafinancim, Shqipëria mori 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit, si mbështetje për zbatimin e reformave. Parafinancimi i mbetur prej 34.5 milionë euro, në grante dhe hua koncesionare, do t’i injektohet drejtpërdrejt WBIF-it (Western Balkans Investment Frameëork) për investime në infrastrukturë në Shqipëri.

“Ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të qartë besimi nga BE në rrugën e reformave të Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në familjen evropiane. Ne përqafojmë plotësisht madhësinë e kësaj mundësie historike, si dhe angazhimet përpara, dhe jemi energjikisht të motivuar dhe të përgatitur për të vazhduar reformimin dhe përmbushjen e me zell të kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha kryenegociatorja Majlinda Dhuka.

Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësinë të marrë deri në 922.1 milionë euro në total nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në këmbim të reformave në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë dixhitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.

Pagesat e ardhshme në kuadër të Facilitetit do të bëhen me përfundimin e hapave të reformës të rënë dakord ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë ahqiptare në Axhendën e Reformave. Ndërsa Shqipëria përparon në zbatimin e Axhendës së Reformave, BE do të zhbllokojë pagesat.

Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor ofron një udhërrëfyes për të sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu lehtëson aksesin gradual në tregun e vetëm, duke i lejuar qytetarët në Ballkanin Perëndimor të kenë disa përfitime të hershme nga integrimi në BE, si dhe mbështet integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal.

Plani i Rritjes ofron 6 miliardë euro ndihmë financiare shtesë për të mbështetur reformat socio-ekonomike dhe themelore dhe investimet përkatëse. Pagesat kushtëzohen me arritjen e reformave të specifikuara në Axhendat e Reformave të përgatitura nga secili përfitues.
Komisioni Evropian aktualisht po punon për vlerësimin e grupit të parë të hapave të reformës. Përmbushja e këtyre hapave do t’i japë Shqipërisë të drejtën për të marrë disbursimin korrespondues në kuadër të Facilitetit.