Të dhënat e raportit të qeverisjes vendore kanë dalë në konkluzionet, se vitin që lamë pas bashkive iu rritën shpenzimet për shkak të politikave të reja të pagave të administratës.
Referuar raportit theksohet se në kahun e shpenzimeve të kryera nëpërmjet burimeve të veta, 61 Bashkitë shpenzuan rreth 68.3 miliardë lekë. E për ta krahasuar me një vit më parë, bashkitë kanë shpenzuar rreth 9.9 miliardë lekë më shumë ose 17% më shumë.
Por, ku janë fokusuar më tepër shpenzimet e pushtetit lokal?
Sipas të dhënave të raportit, shpenizmet vërehen në tre nën-grupe, ku spikasin shpenzimet kapitale të cilat kanë rezultuar rreth 38.7% më shumë si dhe shpenzimet për paga dhe sigurime 17.7%, kjo e fundit për shkak të rritjes së pagave gjatë vitit 2023. Ndërsa nën-grupi i fundit i cili ka kontribuar në shtimin e kostove është rritja e numrit të përgjithshëm të punonjësve të Njësive të Qeverisjes Vendore.
Ashtu siç shihet dhe nga grafiku, pjesa më e madhe e shpenzimeve për pushtetin vendor pra për bashkitë shkon për paga dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me 43.1%, pasuar nga shpenzime operative dhe të tjera me 33.3% si dhe shpenzime për investime kapitale me 23.6%./SCAN/