Lulzim Basha po lufton që të mbijetojë edhe pas zgjedhjeve të 11 Majit në politikë, ku synon të futet në Kuvend, ku garon nën siglën e koalicionin Euro-Atlantik.
I ftuar në Euronews Albania, Basha tha se fakti që qytetarët e përshëndesin në rrugë me shprehjen e tij “O Rame, ku i ke shokët” është tregues i një mbështetje të madhe ndaj tij.Sa i përket sondazheve, Basha tha se nuk ka kryer një të tillë, por tregoi se posedon një databazë me 480 mijë numra telefoni dhe shtoi se do i telefonojë një për një që t’u kërkojë votën për t’u futur në Kuvend më 11 Maj.
“Ndryshe nga këta njerëz të korruptuar, qytetarët kudo që shkoj më përshëndesin me refrenin “O Rame, ku i ke shokët?”. Kjo ngjit sepse njerëzit janë të tejngopur me korrupsionin e Ramës. E kanë gjetur të vërtetën dhe e përqafojnë atë. Qesharake është kur nuk hapin gojën për të përforcuar SPAK-un. Qytetarët do ta tregojnë se si do dalë Koalicioni Euroatlantik. Kemi vullnetar në Call Center. Në vitin 2021 arritëm të mbledhim 480 mijë numra telefoni të mbështetësve tanë potencial në zgjedhje, me numër telefoni, emër dhe mbiemër. Emrat e votuesve tanë potencialë. Këto numra i përdorim për të kontaktuar votuesit dhe për t’i kërkuar të votojnë për Koalicionin Euroatlantik. Nuk është sondazh por një kontakt i drejtpërdrejtë me votuesin. Në 30 mijë numra në Qarkun Tiranë, 30 për qind thanë se do votojnë Koalicionin Euroatlantik. 48 për qind thanë jo dhe 22 për qind thonë ndoshta.” – tha Basha.
I pyetur nëse ironitë me këngë e batuta përmes videove ku sulmon Edi Ramën janë e vetmja mënyrë për të hyrë në lojë, Basha tha se nuk ka frikë të përballet. Edhe pse ka shënuar pafund humbje radhazi në zgjedhje përballë Ramës, ish-kryedemokrati tha se asnjëherë nuk frikësohet.
Teksa u pyet se ku i ka shokët e tij, Basha tha se i ka në krah në fushatë.
“Ku i kam unë shokët? I kam në krah në fushatë. Shokët politik i kam në fushatë. Ish-shokët kanë lënë veten e tyre dhe kanë mbetur fillikat. Listat e mia janë me intelektualë, artistë, sportistë, njerëz të vlerave. Këta janë shokët e mi.”-tha Basha.
I pyetur se përse nuk i ka më ish-shokët, Basha tha se ata lanë veten e tyre.
Ata që tradhtojnë veten e tyre, e kanë problemin me veten e tyre.”-tha Basha.
Erla Mëhilli: Edhe Gazment Bardhin? Jorida Tabakun?
“Unë i zeroj, i heq nga sistemi. Kanë zeruar veten.”-tha Basha.