Ballina Shqiperia ime Balluku takim në një fasoneri në Fier

Balluku takim në një fasoneri në Fier

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe drejtuese politike e PS në qarkun e Fierit, vizitoi sot një biznes fason në Portëz (Fier), që prodhon veshje për eksport për kompani gjermane dhe çeke.

Kjo është një nga fasoneritë më të mëdha të Fierit, ku janë të punësuara 200 gra dhe vajza. Aktualisht aty po prodhohen rroba ushtarake për ushtrinë çeke, por edhe uniforma të specializuara pune për tregun gjerman.

Ne e kemi nisur këtë biznes në vitin 2020 me 40 punonjës, sot jemi rreth 230 dhe synojmë të shtojmë staf, për shkak të kontratave të reja që po vendosim me kompani të huaja. Ndërsa një degë tjetër të biznesit tonë e kemi hapur edhe në Berat”, u shpreh sipërmarrësja gjatë bashkëbisedimit me zv.kryeministren Balluku.

Ajo e informoi zv.kryeministren se të punësuarat janë nga zona të ndryshme të qarkut Fier.“Fieri është një nga qarqet më aktive sa i përket linjave të prodhimit, ashtu siç jeni dhe ju një nga pikat më të mëdha të prodhimit, dhe është kënaqësi kur janë plot ndërmarrje që vazhdojnë të kenë nevojë për të zgjeruar krahun e punës”, tha Balluku.

Balluku vlerësoi investimin e kryer në këtë biznes si dhe faktin që ka arritur të krijojë kushte shumë të përshtatshme pune për punonjësit, teksa u njoh dhe me kapërcimin e vështirësisë nga ndryshimet e kursit të këmbimit, ku, siç tha ajo, “ky është një moment që është përballuar nga vetë sipërmarrësi, pa e reflektuar atë në ndryshimin e pagave të punonjësve”.

Ato pak zonja që takova këtu në procese të ndryshme pune, treguan se janë të kënaqura që punojnë këtu, dhe qarku i Fierit mbetet një nga qarqet me nuklat (qendrat) ekonomike më të suksesshme të Republikës së Shqipërisë jo vetëm për çka prodhon, por dhe të angazhimit të njerëzve punëtorë të këtij qarku”, u shpreh Balluku.