Ballina Shqiperia ime Balluku në Llogara: Drejt përfundimit punimet për tunelin dhe rrugët lidhëse

Balluku në Llogara: Drejt përfundimit punimet për tunelin dhe rrugët lidhëse

Në Llogara, krahas ndërtimit të tunelit, po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e rrugëve lidhëse të kësaj vepre me akset rrugore kombëtare. Po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati në datën 30 qershor, kur parashikohet të hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogarasë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli inspektuan punimet në kantier, i cili konsiderohet ndër më të rëndësishmit sa i takon infrastrukturës.

“Po punohet për formimin e trupit të rrugës. Pika lidhëse me rrugën ekzistuese është trajtuar si një nyje e mirëfilltë ku janë parashikuar 4 korsi. Korsitë e pritjes dhe dy korsitë e vajtjes-ardhjes të cilat janë të pa ndërprera. Do të ketë të gjithë sinjalistikën dhe elementët e nevojshëm të sigurisë”, sqaroi drejtori Gjyli.

Në tunelin e Llogarasë po punohet për betonimin e metrave të fundit, për të vijuar më tek proceset e tjera, asfaltimi, sisitemi ndriçimit dhe ajrimit.

Ministrja Balluku, duke vlerësuar ecurinë e punimeve, tha se këtë sezon turistik tuneli i Llogarasë do të jetë i aksesueshëm, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin dhe shkurtuar distancën drejt bregdetit të jugut.

“Sot nuk erdhëm thjesht për tunelin, pasi tuneli e ka ecurinë konstante, sot kemi ardhur për të parë rrugët lidhëse që është pjesa më e rëndësishme, sesi do të devijohet i gjithë trafiku nga dalja e tunelit dhe më pas për t’u lidhur me rrugën e Palasë-Dhërmi që është një tjetër pjesë e re që ne kemi ndërtuar”, u shpreh Balluku.

Ministrja njoftoi gjithashtu se këtë sezon, automjetet e tonazhit të rëndë nuk do të mund të kalojnë përmes tunelit, për ti dhënë kohë veprës që të konsolidohet. Ato do të vijojnë të qarkullojnë përmes aksit aktual.

“Do të saktësojmë gjithçka edhe me policinë rrugore, ashtu siç kemi bërë gjithmonë, por duhet patur parasysh që automjetet e tonazhit të rëndë nuk do të kalojnë në tunelin e Llogarasë këtë verë, pasi do të jemi në kolaudim e sipër. Do të jetë i hapur vetëm për automjetet private dhe për autobusët, edhe autobusët e turistëve edhe të udhëtarëve. Ndërkohë që mjetet e tonazhit të rëndë do të vazhdojnë dhe do të ndjekin rrugën e vjetër për të mos krijuar probleme”, nënvizoi Balluku.

Në kantierin e Llogarasë po punohet 24 orë në 24 ndërsa janë marrë masat për të mos krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve në pikën ku po krijohet nyja e cila do të lidhë daljen nga tuneli me rrugën ekzistuese.