Në Fier nisi sot programi “Infrastruktura Bashkiake V”, i cili parashikon investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve në disa prej qyteteve kryesore të vendit.
E pranishme në ceremoninë e organizuar me këtë rast, zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku siguroi se në kuadër të këtij programi do të vijojnë investimet në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve. Balluku vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë, për sa i përket sektorit të ujësjellës kanalizimeve.
“Një bashkëpunim ky i cili zgjat prej 12 vitesh dhe ka shënuar tashmë historinë e tij me arritjet në këtë sektor”, tha ajo.
Për të kuptuar nevojën e madhe që sektori i ujësjellës kanalizimeve ka për investime, Balluku theksoi faktin se stacioni i Kafaraj në Fier është ndërtuar në vitin 1964.
“Në atë kohë është ndërtuar për t’i shërbyer banorëve që jetonin në zonë edhe industrisë. Ndërkohë gjithçka që shoqëron këtë stacion pompimi dhe e gjithë teknologjia e përdorur është e vitit 1964. Na është dashur që me një punë intensive t’i zëvendësojmë, riparojmë ose t’i ngremë nga e para këto stacione pompimi apo gjithë rrjetin të trashëguar me një sërë problematikash”, tha ajo.