I shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrumbullaku dhe kreu i emergjencave Haki Çako, ministri i Brendshëm Taulant Balla dha një prononcim për mediat nga vendi ku ra zjarri sot në qytetin e Lushnjes.
Balla u shpreh se rreziku ende nuk ka pëfunduar sepse ka akoma vatra zjarri në zonën lindore të qëndrës tregtare “Metropol”, ku flakët shpërthyen mesditën e sotme.
“Rreziku nuk ka përfunduar sepse në momentin që flasim ka ende disa vatra më të vogla të cilat janë në zonën lindore të ndërtesës dhe që aty tashmë po punojnë shërbimet zjarrfikëse të Fierit, Tiranës edhe të Durrësit dhe të Lushnjes që e njohin zonën më së miri aty sepse po punohet në kushte të vështira, në një temperaurë tepër të lartë. Pra problematika që është në këtë moment është temperatura shumë e lartë për shkak të zjarrit që ka qenë në katin e tretë dhe ndërkohë që është krijuar një zonë tampon, që zjarri të mos përhapet në zona të tjera”, tha Balla
Sakaq, ministri shton se pasi zjarri të vihet nën kontroll të plotë do të ketë një hetim të plotë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për të parë se kush janë arsyet e zjarrit.
“Pasi zjarri të vihet nën kontroll të plotë do të ketë një hetim të plotë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për të parë se kush janë arsyet e zjarrit dhe nuk dua të bëj asnjë lloj deklarate hipotetike sepse dua që hetimi të jetë i plotë dhe të shpresojmë që në fund të kësaj situate të vështirë të mos kemi asnjë jetë të humbur”, u shpreh ministri.