Ballina Shqiperia ime Autoshkollat paralajmërojnë shtrenjtim deri 43% të kursit të patentës

Autoshkollat paralajmërojnë shtrenjtim deri 43% të kursit të patentës

Pas rritjes së tarifave për regjistrimin e kandidatëve për testime teorike dhe praktike, ritestime dhe rinovim të lejeve të drejtimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) autoshkollat në vend paralajmërojnë rritje 25 deri në 43% të tarifës për ndjekjen e kursit të patentës.

Nga 5 shkurti, sipas Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave nga DPSHTRR u rritën tarifat për regjistrimin praktik të kandidatëve për leje drejtimi të kategorisë B nga 1,200 lekë në 2,800 lekë, nga 1,500 lekë është rritur në 3,500 lekë. Ndërsa tarifat për çdo regjistrim të kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit teorik nga 400 lekë është bërë 1,200 lekë. Çdo regjistrim për testimin praktik për shtesë të kategorisë së lejes së drejtimit nga 600 lekë tarifa është bërë 2,800 lekë.

Burime pranë Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave pohuan për “Monitor” se rritja e tarifave ngarkon me kosto bizneset e autoshkollave, pasi tarifa parapaguhet prej tyre jo nga kursantët. Anëtarë të shoqatës ngrenë shqetësimin se për këtë ndryshim nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar paraprak për këto biznese.

Në këtë situatë, bizneset e autoshkollave paralajmërojnë rritje të tarifës për ndjekjen e kursit teorik dhe praktik të lejes së drejtimit nga 35,0000 lekë deri në 40,000 lekë që është aktualisht në 50,000 lekë (rritje prej 10,000 deri 15,000 lekë).

Sakaq ndjekja e kursit të patentës në vlerën e 50,000 lekëve, aq paralajmërohet të arrijë nga autoshkollat, pritet të ketë një diferencë të ngushtë çmimesh me vendet fqinje, ku në Greqi kursi i ndjekjes së patentës kushton 700 euro.

“Tarifa e regjistrimit parapaguhet nga autoshkollat para se kandidatët t’i nënshtrohen testimeve teorike, praktike apo ri testimeve. Bizneset e autoshkollave mbajnë riskun e mosparaqitjes së kandidatëve pas regjistrimit, pra pas kryerjes së pagesës, prandaj rritja e kësaj tarife ngarkon me kosto shtesë autoshkollat.

Kemi raste që një autoshkollë ka parapaguar tarifa regjistrimi deri për 1,00 kandidatë të cilët nuk kanë vijuar më tej kurset teorike dhe praktike për marrjen e patentës. Përveç kësaj është e padrejtë që për kursantë që ne kemi paguar tarifë tjetër regjistrimi, nga 5 shkurti të paguajmë tarifë më të lartë ritestime në rast se ngel”, pohuan burime nga Shoqata Kombëtare e Autoshkollave.

DPSHTRR e kontaktuar nga Monitor pohoi se nuk kemi të bëjmë me rritje të tarifave, por indeksim të tyre, pas 23 vitesh vetëm për kandidatët që ristestohen, të cilat nuk ngarkojnë bizneset e autoshkollave, pasi paguhet prej kursantëve. Indeksimi sipas DPSHTRR-së është në përputhje me investimet e kryer nga ky institucion për infrastrukturën dhe shërbimet ndaj kursantëve, me qëllim arritjen e standardeve të Bashkimit Europian për sigurinë.

DPSHTRR në reagimin e saj dje tha se “indeksimi i tarifave ky rishikim tarifash vjen si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore të miratuara në dakordësim me grupet e interesit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe të standardeve të përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Europian, për ofrimin e shërbimeve për lejet e drejtimit. Për arritjen e këtyre standardeve, DPSHTRR ka investuar në infrastrukturë, modernizimin e proceseve të shërbimit që lidhen me autoshkollat dhe kursantët për leje drejtimi, në thjeshtëzimin dhe harmonizimin e këtyre procedurave si dhe shtimin e zyrave të shërbimit për të qenë sa më pranë qytetarëve”.

Më tej DPSHTRR sqaron se nga një analizë e hollësishme rezulton se shtrirja e këtyre shërbimeve në afate kohore, eliminon detyrimin e paraqitjes në sportel, lehtësimin e kalimit nga një kategori në një tjetër, si dhe uljen e shpenzimeve indirekte (përllogaritur këtu në 7,569,450 kilometra vajtje/ardhje, 529,862 litra karburant, 12,616 ditë pune/vit kohë e shpenzuar), nuk mund të konsiderohet si rritje tarifash, por përkundrazi rezulton një kursim mesatar prej 4,170 lekë për qytetar në vit.

Shembujt e ilustruar më poshtë, tregojnë qartë sa më sipër:

  • Tarifa e pajisjes me leje drejtimi me afat vlefshmërie 10 vite, nga 3,500 lekë bëhet 4,500 lekë, por afati tashmë zgjatet në 15 vite. Tarifa e re prej 4,500 lekë, e shpërndarë në vite, nga 350 lekë/viti bëhet 300 lekë/viti!
  • Tarifa e pajisjes me leje drejtimi për grupmoshën mbi 65 vjeç, me afat vlefshmërie 5 vite, nga 3,500 lekë, tashmë bëhet 2,000 lekë, me afat vlefshmërie 15 vite!
  • Tarifa e pajisjes me Leje Drejtimi Ndërkombëtare me afat vlefshmërie 1 vit nga 500 lekë që ishte, kalon në 1,000 lekë, me një afat vlefshmërie 3-vjeçare. Tarifa e re prej 1,000 lekë, e shpërndarë në vite, nga 500 lekë/vit bëhet 333 lekë/vit!
  • Kalimi nga Leje Drejtimi e Kategorisë B në D/D1, pa qenë i detyrueshëm kalimi në kategorinë C, nga 2,200 lekë, bëhet 0, pasi është eliminuar testimi për kategorinë C!

Nga ndryshimi i këtyre tarifave përfitojnë 189,179 qytetarë, duke ju kursyer mesatarisht 788,792,150 lekë/vit. (7,7 milionë Euro).

Por nga Shoqata Kombëtare e Autoshkollave vlerësohet pozitivisht dhe mbështetet zgjatja e afatit të vlefshmërisë dhe tarifës për marrjen e kartonit. Shqetësim për ta është rritja e tarifave të regjistrimit të kandidatëve për kurse teorike dhe praktike të cilat parapaguhen prej tyre.

Sakaq shkurtin e vitit të kaluar biznesi i autoshkollave u përfshi në një debat për rritjen e tarifave pas publikimit në media të draft marrëveshjes mes grupeve të interesit duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatën e Autoshkollave “Siguria në Rrugë” Drejtorinë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor nëpërmjet të cilës deklaronin se bien dakord që tarifat e reja që variojnë sipas kategorive të lejeve të drejtimit, të përcaktohen nga 30,000 lekë deri në 125,000 lekë.

Në maujin mars aktmarrëveshja e dakordësuar u ndalua nga autoriteti i Konkurrencës duke pezulluar rritjen e çmimeve për kursin e patentës.