Ballina Bota Atentati në Greqi-Zbulohen detaje të reja nga arrestimi i autorëve

Atentati në Greqi-Zbulohen detaje të reja nga arrestimi i autorëve

Edi Lulo, i njohur edhe si Etmond Hysa, 46-vjeçari nga Puka që mbeti i plagosur në atentatin e 15 dhjetorit në Athinë, është në gjendje më të stabilizuar shëndetësore. Sipas burimeve policore, ai ka kontakt me ambientin dhe i përgjigjet stimujve, por ende nuk mund të flasë. Një oficer policie, i cituar nga “Zougla”, ka theksuar se plumbi që e goditi ka përshkuar pjesën e pasme të kokës deri në pjesën e përparme.

Hetimet konfirmojnë se Lulo ishte objektivi i atentatorëve. Në të njëjtën ngjarje mbetën të vrarë Irakli Davella, 47 vjeç, nga fshati Mesopotam i Finiqit, dhe një tjetër shqiptar, gjithashtu me origjinë nga Finiqi.

Policia greke ka arrestuar dy të dyshuar si vrasës me pagesë: Jenis Tulja, 44 vjeç, nga Tirana, dhe Mirjan Guveli, 45 vjeç, nga Saranda. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, u gjetën armë të rënda, pajisje vëzhgimi dhe një shumë e madhe parash. Sipas gazetës “Eleftheros Typos”, një nga armët e sekuestruara ishte në posedim të tyre për më pak se shtatë ditë dhe ruhej në një qese plastike, duke sugjeruar se ishte gati për një tjetër ekzekutim të planifikuar.

Të dyshuarit u identifikuan pas gjurmimit të një automjeti “Renault” të përdorur në atentat. Makina u regjistrua për herë të parë nga kamerat e sigurisë katër ditë para ngjarjes në zonën e Nea Smyrnit. Pikërisht nga aty, më 15 dhjetor, autorët nisën rrugëtimin drejt Thrakomakedones.

Policia gjeti makinën të parkuar dy ditë pas atentatit dhe e vëzhgoi për dhjetë ditë, gjë që çoi në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Gjithashtu, hetimet zbuluan se shtëpia e 45-vjeçarit në rrugën “Nikolaou Plastira” shërbente si bazë për planifikimin e atentatit.

Për të shmangur lidhjen me krimin, autorët përdorën katër automjete të regjistruara në emër të personave të tretë. Ata kishin mbajtur një profil të ulët: 45-vjeçari ishte i papunë dhe jetonte në një shtëpi pa qira, ndërsa 44-vjeçari, menaxher i një kafeneje, kishte regjistruar banesën e tij në emër të gruas.